Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se zjarri është lokalizuar dhe si pasojë e tij janë dëmtuar dy zyra të kësaj Gjykate.

“Ju njoftojmë se me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 kemi pranuar një informatë se në Objektin e Gjykatës Themelore- dega në Kaçanik ishte një zjarrvënie.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate”, ka thënë ai.

Veseli ka sqaruar se dyshimet e para janë që ngjarja ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme nga tre persona të cilët ende nuk janë identifikuar.

“Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut e më pas edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet intensive.

Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policor janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti”, ka deklaruar ai.