![]()
Hetimi mbi vdekjen e Mohamed Morsit, presidentit të parë të Egjiptit të zgjedhur me votë, është i nevojshëm, ndërsa përgjegjësit duhet duhet të japin llogari para ligjit për vrasje me torturë, tha ish-presidenti i Tunizisë dhe lideri i Partisë Al Irada (Vullneti), Mohamed Moncef Marzouki.
Marzouki, i cili me profesion është mjek, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) në Paris tha se ka ngelur i tronditur nga vdekja e Morsit.
“Morsi ishte viktimë e torturave. Si një person që kam qëndruar në burg për disa muaj, e di mirë se qëndrimi në burg është tejet i dhimbshëm. Morsi ishte në burg disa vite dhe nuk i lejohej të shihej me familjen dhe avokatin. Për më tepër, Morsi ishte në burg me rrezikun e dënimit me vrasje. Mendojeni gjendjen e një personi në rrethana të tilla. Kjo është torturë sipas meje”, shprehet Marzouki.
Ai thekson se Morsi vuante nga diabeti dhe ishte i detyruar të merrte insulinë, ndërsa, siç shprehet, atij nuk i janë ofruar në mënyrë të rregullt ushqimi dhe insulina.
“Ekzistonte një dëshirë për të shkatërruar trupin dhe psikologjinë e Morsit. Kjo është diçka që nuk mund të pranohet asnjëherë. Përmes Morsit, shkatërruan shpresën e demokracisë së Egjiptit dhe ‘Pranverës Arabe’. Vdekja e Morsit më tronditi shumë, sepse unë do të kisha dashur që Morsi të shihte kthimin e demokracisë (në Egjipt dhe botën arabe)”, tha Marzouki.
“Morsi nuk vdiq nga shkaqe natyrore”, thotë më tej Marzouki, duke shtuar se ai është vrarë dalëngadalë.
“Mendoj se dëshirohej që Morsi të vritej psikologjikisht dhe fizikisht dhe kjo u arrit. Morsi qëndroi gjashtë vjet. Sipas meje, kjo është vrasje”, vlerëson ai.
Marzouki e cilëson Morsin si përfaqësues të fitores së demokracisë dhe shpresës së madhe për Egjiptin.
“Morsi dhe unë vijmë nga një brez në të cilin presidenti u zgjodh me vullnetin e popullit dhe ne nuk jemi të lidhur me të huajt. Vdekja e Morsit është vdekje e shpresës për shfaqjen e udhëheqësve në Egjipt, të cilët nuk vijnë nga ndërhyrja ushtarake, por nga vullneti i popullit, dhe vdekje e shpresës për shfaqjen e një udhëheqësi jo me mbështetjen e të huajve, por me mbështetjen e popullit”, thotë ish-presidenti tunizian.
Sipas tij, problemet ekonomike dhe korrupsioni në Egjipt janë rritur pas puçit të vitit 2013, ndërsa liritë janë kufizuar dhe vendi ka humbur sovranitetin kombëtar.
“Një ditë do të jepet llogari”
Marzouki më tej thotë se “mënyra e vrasjes së Morsit nga regjimi i Sisit do të rrisin dëshpërimin dhe zemërimin” në vendet arabe dhe Egjipt.
“Një ditë do të paguhet çmimi i kësaj. Kujtojini edhe ndodhitë në Algjeri dhe Sudan. Duhet kujtuar shprehja se ‘në diktaturë gjithçka duket në rregull deri në 15 minutat e fundit’. Sisi mund të paraqitet sikur gjithçka është në rregull, por në një çast çdo gjë mund të rrënohet”, thekson Marzouki.
“Përgëzoj Erdoğan-in për qëndrimin e tij”
Siç thotë Marzouki, popujt arabë janë pikëlluar nga vdekja e Morsit. Sipas tij, Turqia, Tunizia dhe Katari, të cilat reaguan në mënyrë serioze për vdekjen e Morsit, janë shtete të cilat shfaqin vullnetin e sovranitetit kombëtar.
“Unë përgëzoj presidentin (Recep Tayyip) Erdoğan për qëndrimin e tij. Erdoğan tregoi se se si duhet të jetë një kryetar shteti”, thotë Marzouki.
Ai theksoi nevojën për nisjen e një hetimi për vdekjen e ish-presidentit egjiptian.
“Përgjegjësit për vdekjen e Morsit duhet dhënë përgjegjësi para ligjit për vrasje me torturë”, potencon Marzouki, duke shtuar se bota arabe ka përjetuar një ndryshim dhe se brezi i ri në ardhje nuk e pranon korrupsionin dhe kufizimin e lirive.
Ai më tej shprehet se Izraeli dhe disa fuqi perëndimore nuk e dëshirojnë zhvillimin e vendeve arabe.
Marzouki është i mendimit se ‘Pranvera Arabe’ nuk ka përfunduar. Ai thotë se vala e dytë e saj sapo ndodhi në Algjeri dhe Sudan, ndërsa e treta mund të ndodhë në Egjipt, duke shtuar se valët e ‘Pranverës Arabe’ do të vazhdojnë derisa sistemet e reja demokratike të zëvendësojnë sistemet e vjetra politike në shtetet arabe.
Stabiliteti në këto vende, sipas Marzoukit, do të sigurohet me ardhjen e liderëve të rinj prodemokratikë, të cilët dëgjojnë kërkesat e popullit dhe janë në favor të sovranitetit kombëtar.
Ai thotë se shtypja mbi popullin egjiptian është rritur dhe se një ditë “vullkani do të shpërthejë”.
Marzouki kritikoi qëndrimin e vendeve perëndimore për qëndrimin e tyre lidhur me vdekjen e Morsit.
“Sipas tyre, demokracia dhe të drejtat e njeriut vlejnë vetëm për ta. Këto vende kanë humbur besueshmërinë për shkak të qëndrimeve të tyre kundrejt Arabisë Saudite dhe Sisit, të cilët në masë të madhe shkelin të drejtat e njeriut. Këto vende nuk kanë të drejtë të flasin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ato nuk veprojnë me mendësinë për të mbështetur liritë dhe të drejtat e njeriut, por për të shitur armë dhe për të mbështetur diktatorët që u shërbejnë interesave të tyre”, theksoi Marzouki.
“Morsi ishte mendjehapur. Tentuan ta shfaqnin si një person që dëshiron të kapë tërësisht pushtetin, por kjo ishte gënjeshtër. Edhe Morsi e përgënjeshtroi këtë. Ai ishte modest. Prandaj, unë ndjeva dhimbje për vdekjen e tij”, potencon më të Marzouki, duke thënë se me Morsin është takuar në disa takime në OKB dhe gjatë një vizite zyrtare në Egjipt në vitin 2013.
Kujtojmë se 67-vjeçari Morsi ndërroi jetë të hënën në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013.
Mediat raportuan se ai është lënë i rrëzuar në dysheme për 20 minuta pasi humbi ndjenjat gjatë gjykimit.
Morsi kishte paralajmëruar më herët për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore, por autoritetet kishin injoruar ankesën e tij.
Aktivistë për të drejtat e njeriut dhe familja e tij gjithashtu janë shprehur se Morsi nuk ka marrë trajtim për problemet shëndetësore gjatë kohës në burg.
Ish-presidenti i Egjiptit i zgjedhur me votë u varros në lindje të Kajros nën masa të forta të sigurisë dhe në prani vetëm të anëtarëve të familjes së tij dhe avokatëve.
Morsi, si anëtar kryesor i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt. Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos me një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel Fattah al-Sisi.
“Vrasja e Khashoggit nuk duhet ngelur pa u ndëshkuar”
Duke folur mbi raportin e OKB-së të publikuar dy ditë më parë për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, Marzouki njoftoi se me të ishte takuar disa vite më parë në Stamboll.
Raporti i OKB-së tha se shteti saudit ishte përgjegjës për vrasjen e Khashoggit dhe bëri thirrje për hetime të mëtejshme mbi rastin.
Ai e cilësoi si një situatë tepër të rrezikshme vrasjen makabre të Khashoggit.
“Kjo vrasje nuk duhet ngelur pa u ndëshkuar, pasi ato inkurajojnë të tjerët nëse mbesin pa u ndëshkuar. Përgëzoj OKB-në për këtë qëndrim”, u shpreh për AA Marzouki, ish-presidenti i Tunizisë.


