Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump bëri të ditur se ish-këshilltarin për siguri kombëtare, Michael Flynn e ka pushuar nga detyra për shkak se ai gënjeu Zëvendëspresidentin Mike Pence dhe Byronë Federale të Hetimeve (FBI).
Në një mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter, Presidenti Trump tha se “Unë e pushova nga detyra këshilltarin Michael Flynn sepse ai gënjeu Zëvendëspresidentin dhe FBI-në”, ndërsa shtoi se takimi i tij me rusët ka qenë në përputhje me ligjin dhe se nuk kishte asgjë për të fshehur.
Flynn pranoi se në kuadër të hetimeve në lidhje me Rusinë, ka gënjyer FBI-në dhe bëri të ditur se është i vetëdijshëm se “ajo çfarë ka bërë është gabim”, ndërsa shtoi se do të bënë përpjekje për ta përmirësuar këtë dhe se beson që bashkëpunimi do të jetë në dobi të familjes dhe popullit të tij.
Mediat amerikane njoftojnë se Flynn gjatë hetimeve të zhvilluara nga prokurori special, Robert Mueller do të dëshmoj kundër Trumpit.
Arsyeja e dorëheqjes së Michael Flynn nga posti i këshilltarit ka qenë deklarata e rreme e dhënë në lidhje me takimin e tij me zyrtarët rus.
Gjatë hetimeve u kuptua se Flynn informoi gabimisht autoritetet në lidhje me përmbajtjen e takimit të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington Sergey Kislyak.
Në anën tjetër prokurori special i hetimeve në lidhje me Rusinë, Robert Mueller, largoi nga ekipi hetues agjentin e FBI-së, Peter Strzok për shkak të mesazheve të tij kundër Trumpit.
Gazeta “New York Times” kishte bërë të ditur se mesazhet e ish-agjentit të kundërzbulimit, janë hetuar nga inspektoriati i Departamentit të Drejtësisë.
Agjenti Strzok, i cili më herë ishte pjesë e ekipit hetimor të postave elektronike zyrtare të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, është larguar nga detyra.
Në anën tjetër gazeta “Washington Post” kishte zbuluar lidhjen jashtëmartesore të agjentit Strzok me avokaten e FBI-së, Lisa Page./Kosova Post/


