Përurohet objekti i ri i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë

Mos i humb

Sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është bërë përurimi i objektit të ri të Qendrës së Paraburgimit afër Pallatit të Drejtësisë.

Qendra e re e Paraburgimit është njëra nga gjashtë qendrat e paraburgimit në tërë Kosovën dhe ka një sipërfaqe prej 10 mijë e 500 metra katrorë. Kjo qendër ka kapacitet të pranojë rreth 300 persona në paraburgim, ndërsa kostoja e ndërtimit të saj është 6.7 milionë euro.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, tha se janë duke punuar në ofrimin e kushteve më të mira për të burgosurit dhe shtoi se do të kujdeset për respektimin e të drejtave të tyre fundamentale, pa marrë parasysh racën, gjuhën apo fenë.

“Me qëllim të sigurimit të kushteve sa më adekuate për trajtim të personave në vuajtje të dënimit dhe krijimin e një ambienti adekuat dhe të denjë tashmë janë hapur disa qendra të reja, siç është Burgu i sigurisë së lartë dhe pikërisht kjo Qendër e Paraburgimit e cila do të funsionojë nga sot me kushtet bashkëkohore dhe e cila do të jetë në dispozicion me sipërfaqe rreth 10 mijë e 500 metra katrorë”, tha Tahiri.

Nga ana tjetër, ministri i Administratës Publike i Kosovës, Mahir Yagcilar, i cili mbajti një fjalë rasti gjatë përurimit, tha se në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë kanë kryer dy punë, edhe atë nga aspekti i sundimit të ligjit dhe nga ana inxhinierike për ndërtimin e kësaj qendre.

Ai tha se ky është një projekt i rëndësishëm në të cilin është investuar me mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovës, duke shtuar se është realizuar me njerëz nga qeveria e Kosovës, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe nga personeli i të dyja ministrive, përkatësisht nga Departamenti i Inxhineringut të Ministrisë së Administratës Publike.

“Në këtë aspekt në njëfarë mënyre plotësojmë kushtet nga aspekti i sundimit të ligjit por nga ana tjetër në fushën e ndërtimit, inxhineringut dhe me mirëmbajtjen e objekteve kemi krijuar një përvojë të re. Besojmë që të gjitha këto përvoja do t’i shfrytëzojmë për ta fuqizuar shtetin nga aspekti ligjor por edhe nga aspekti i funksionimit të shtetit”, tha Yagcilar./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit