PL: Asnjë ndihmë ekonomike nuk do të jetë nën minimumin jetik 209 $

Mos i humb

 

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu deklaroi sot se Partia e Lirisë do të ndalojë shpopullimin përmes rritjes së pagave, ndihmës ekonomike dhe dyfishimit të pensioneve.

“Asnjë ndihmë ekonomike nuk do të jetë nën minimumin jetik 209 $”, tha ajo, në një deklaratë për mediet.

Haxhiu, në emër të PL, premtoi “dyfishim të pagave të mësuesve dhe mjekëve”.

“Rritja e pagave dhe rritja ekonomike janë ndërhyrja më e shpejtë që mund të bëjmë në kohë për të ndalur shpopullimin në bashkërendim me masat e tjera në arsim, shëndetësi, bujqësi etj.”, tha Haxhiu.

“Ne do të mbështesim prodhimin vendas, duke e subvencionuar atë dhe duke reduktuar T.V.SH për prodhimet bujqësore vendase nga 20%, në 5%. Do të ulim koston e energjisë për familjet”, tha ajo.

Partia e Lirisë, shtoi Haxhiu, “mbështet fort familjen shqiptare duke besuar se përmirësimi i kushteve ekonomike të saj do të ndihmojë familjet e reja që të ardhmen e tyre ta shohin në Shqipëri”.

Gjithashtu, Haxhiu theksoi se, “Partia e Lirisë do të mbështesë familjet shqiptare dhe sidomos familjet e reja me paga më të larta për nenat dhe ulje të taksave për to, trefishim të bonusit të bebes, dhe garantimin e ushqimit, veshjeve, barnave për bebet deri 1 vjeç”.

“Shpenzimet për ushqimet bazë do të rimbursohen 5%,-  tha ajo, teksa shtoi se, – do të jepen kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar.”

PL gjithashtu, u shpreh Haxhiu, “do të krijojë fondin e banesave për strehimin e çifteve të reja si edhe kredi, 20 000 euro, ku interesat i paguan shteti. Grant 20 000 euro për çdo të ri që fillon biznes social apo start-up”.

“Do të dyfishojmë pensionet për të ndihmuar çdo familje shqiptare, të përballojë kostot e larta të jetesës”, tha ajo.

Haxhiu theksoi edhe se, investimi në arsim dhe kapital njerëzor do të jetë 5% të PBB.

“Partia e Lirisë e shikon këtë investim si garanci për të ardhmen e Shqipërisë”, nënvizoi Haxhiu.

Ajo shtoi se, ndër prioritetet e PL janë edhe bujqësia, ushqimi, reduktimi i kostos së jetesës si dhe shndërrimi i Shqipërisë në fuqi eksportuese.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit