Pogradec, Balla: Basha nuk i ndal dot zgjedhjet e 30 qershorit

Mos i humb

Në mbledhjen e zgjeruar të Asamblesë Socialiste në Pogradec, nënkryetari i Partisë Socialsite, Taulant Balla ka siguruar mbështetësit se pavarësisht përpjekjeve të opozitës që ndodhet jashtë Parlamentit, për të bllokuar zgjedhejt vendore, ato do të mbahen. Balla tha se është Kushtetuta e Shqipërisë ajo që vendos për datën e zgjedhjeve dhe as PS e as PD.

Tentativa e opozitës për të bllokuar zgjedhjet, sipas tij lind nga interesa të ngushta, që kanë të bëjnë me dëshirën e tyre për të bllokuar edhe reformën në drejtësi. Ai dënoi ndër të tjera format e protestës me bllokim rrugësh e akte dhune.

STATUSI I PLOTE
Bashkë me Niko Peleshin, Eduard Shalsin dhe Ilir Xhakollin morëm pjesë në mbledhjen e zgjeruar të Asamblesë Socialiste Pogradec.

Në Pogradec struktura e Partisë Socialiste ka zhvilluar një proces të hapur konsultimesh me komunitetin për të paraprirë Zgjedhjet Vendore të 30 Qershorit. Janë rreth 70 kandidate dhe kandidatë për Këshillin Bashkiak, profesionistë të spikatur, përfaqësues të komunitetit.

Duke iu referuar procesit të përgatitjes për Zgjedhjet Vendore u shpreha se:

Në kursin e dhunës dhe moskompromisit që opozita ka zgjedhur të ndjekë, Luli po përpiqet të bllokojë së bashku me Reformën në Drejtësi, edhe zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Kjo nuk do të ndodhë. Kur do të zhvillohen zgjedhjet nuk e përcakton Partia Socialiste apo Partia Demokratike, por Kushtetuta e Republikës.

Si partia më e madhe në vend, Partia Socialiste ka qënë e gatshme dhe ka ofruar të gjitha kushtet për dialog. Ne i kemi lënë dorë të lirë opozitës që të propozojë çfarë të dëshirojë sa i takon reformës zgjedhore, e ne jemi të gatshëm ta votojmë cdo gjë që merr dhe aprovimine OSBE.

Përballë rrugës së zgjedhur nga opozita, përgjegjësia e vetme e Partisë Socialiste është që të ofrojë standartet më të mira ndonjëherë dhe transparencën më të lartë për këto zgjedhje lokale. Kjo do të ndodhë medoemos.

Sot ndodhemi në kushtet e një non-sensi ligjor dhe politik, ku disa parti vendosin të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe këtë e festojnë si një fitore të madhe politike. Në një vend demokratik, fitorja e vetme politike mund të rrjedhjë nga kutitë e votimit, si shprehje e vullnetit të lirë të popullit. Koshientë se do të humbë edhe më thellë se në 2017-n, Luli ka zgjedhur tanimë këtë rrugë për të mos u përballur me vullnetin e sovranit, por kjo as do të cënojë dhe as do të delegjitimojë zgjedhjet e ardhshme.

Në këto zgjedhje, janë regjistruar deri më tani 42 parti, si dhe 6 kandidatë të pavarur. Edhe vendet e lëna bosh në Parlament po plotësohen thuajse të gjitha. Kjo tregon se bojkoti nuk është vullnet i të gjithë opozitës, por vetëm i disa liderve politikë që ndihen të kërcënuar nga zgjedhjet e ardhshme dhe zbatimi i reformës në drejtësi.

E vetmja gjë që ka në dorë Partia Socialiste është të regjistrohet për veten e saj, me bindjen që mund të ofrojë alternativën më të mirë për të ardhmen e qytetarëve të këtij vendi. Nuk është as në dorën dhe as në kompetencën e PS që të bindë të tjerët të marrin pjesë.

Ashtu siç u shpreh edhe zv/Sekretari Amerikan i Shtetit, Metju Palmer, “PD duhet të marrë pjesë për shkak të përgjegjësisë që ka ndaj elektoratit të saj, por nëse vendos ndryshe, standarti i zgjedhjeve kurrsesi nuk do të cënohej”. Ky është në unison edhe qëndrimi i të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe i Bashkimit Europian. Në këtë kontekst dua t’ju them se ne kemi mbështetjen e plotë të partnerëve dhe se kam bindjen se vendimi për hapjen e negociatave me BE, nuk do të ndikohet nga kjo përpjekje idioteske e Lulit për ta influencuar negatiavisht.

E kjo, sepse ndryshe nga sa Basha dëshiron të bëjë të besojë, ai nuk zotëron monopolin e opozitës në vend. I vetmi monopol që ai gëzon sot është ai i dhunës, i shantazheve dhe i bllokimit. Zgjedhja për t’u vetëdjegur është komplet absurde, irracionale dhe e paprecedent, e diktuar nga interesa të ngushtë që lidhen me frikën e reformës në drejtësi, por ne nuk mund të lejojmë që së bashku me veten, Basha të djegë edhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Basha ka vendosur që të bllokojë të gjithë akset më të rëndësishme kombëtare të vendit. Ai mund të bllokojë disa minuta rrugët, por Basha nuk do të jetë kurrë në gjendje që të bllokojë reformën në drejtësi dhe reformat e tjera që Partia Socialiste dëshiron të zbatojë.

Në vazhdën e protestave të dhunshme që dëmtojnë ekonominë, turizmin dhe konsumin, tani Basha ka vendosur që të bllokojë edhe rrugët, duke krijuar probleme të reja shtesë për qytetarët, duke treguar edhe një herë më shumë se mirëqënia dhe jetesa e përditshme e qytetarëve nuk ka asnjë rëndësi për të.

E vetmja gjë që ka rëndësi për Bashën është interesi i tij i ngushtë politik, e për këtë është i gatshëm të agravojë jetën e përditshme të çdo qytetari të këtij vendi, duke nisur nga bizneset e vogla e familjet e reja, që Basha pretendon se janë në qendër të politikave të tij.

Përballë kësaj vale dhune dhe vandalizmi, përgjigja e qeverisë mund të jetë vetëm një. Opozita ka të gjithë të drejtën e saj të protestojë, por të gjithë ata që nxisin dhunë, që kryejnë akte vandalizmi, që godasin institucionet e këtij vendi, Policinë e Shtetit, që terrorizojnë qytetarët e zakonshëm apo që shkatërrojnë pronën private, do të përballet deri në fund, në mënyrë individuale me pasojat e ligjit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit