Policia e Kosovës kërkon kujdes më të shtuar në trafik

Mos i humb

Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te shoferët, që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë gjatë vozitjes, duke respektuar në tërësi rregullat dhe dispozitat ligjore.

Përmes një apeli, Policia po ashtu ka bërë të ditur se është shënuar rënie e numrit të aksidenteve fatale për 19.61 për qind, dhe në total e aksidenteve prej 13.25 për qind.

“Policia e Kosovës, me qëllim të reduktimit të aksidenteve në tërësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, në vazhdimësi kërkon dhe njëherit apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore. Vëmendje kërkohet posaçërisht në këtë periudhë kohore, ku kemi shtim të qarkullimit rrugor, e po ashtu të reshura më të mëdha të shiut, të cilat mund të ndikojnë në kufizim të dukshmërisë dhe qarkullimi nëpër rrugë mund të vështirësohet”, thuhet në apelin e Policisë.

Policia ka thënë se vazhdimisht po monitoron situatën në trafik dhe ka kërkuar kontribut të të gjithëve për të rritur sigurinë.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore. Andaj, të kontribuojmë të gjithë së bashku për siguri më të madhe në trafik, sepse me kontributin e secilit prej nesh do të arrihet rezultati i dëshiruar”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit