Prej dëmeve e rreziqeve të gjuhës

Mos i humb

Prej dëmeve e rreziqeve të gjuhës është edhe dëshmia e rreme, e cila njëkohësisht është prej gjurmëve më të këqija të saj, dhe gati sa nuk është barazuar me shirkun. Tr. Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Bekrete (radillahu anhu) se Pejgamberi ka thënë (tri herë): “A t’ju tregoj për gjynahun më të madh?” Ne i thamë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut”. Tha: “Shirku dhe sjellja e keqe me prindërit”. Pasi ishte shtrirë, u ul dhe tha: “Ta dini se gjithashtu edhe rrena”, dhe vazhdoi ta përsëriste këtë, derisa thamë: “Sikur të ndalej!”

Dhe prej veseve më të ulëta e më të qortuara të saj, të cilat tërheqin pas vete gjynahun dhe ndërpresin dashurinë e afërsinë mes njerëzve janë: rrena, përgojimi dhe bartja e fjalëve.

Dhe ja, Pejgamberi u bënë thirrje atyre që janë sprovuar me një gjë të tillë: “O ju që besimin e keni vetëm në gjuhë dhe nuk ka depërtuar në zemrat tuaja, mos i përgojoni muslimanët!”, siç transmeton Ebu Daudi nga Ebi Berzete el-Eslemij (radijallahu anhu). I mençur dhe i zgjuar është ai që merr mësim prej kësaj porosie të Pejgamberit dhe largohet nga përgojimi i muslimanëve. E, nëse ka mosmarrëveshje apo grindje me ndonjë vëlla musliman, dhe shejtani ia hijeshon të keqen dhe gjuha e tij është gati të përgojojë apo të bartë fjalë, atëherë le të përkujtojë ndëshkimin e rëndë, në mënyrë që të largohet nga përgojimi dhe bartja e fjalëve.

Ka prej njerëzve që janë sprovuar me besim të dobët dhe me moszotërim të gjuhës, kështu që të gjitha ambiciet, fuqitë dhe kohët e tija i drejton në fyerje të të tjerëve, në akuza, në përgojim dhe në bartje fjalësh.

Prej dëmeve dhe rreziqeve më të mëdha të gjuhës është edhe tallja, përqeshja me fe dhe me pasuesit e saj, pa marrë parasysh se a bëhet kjo përmes shkrimeve, vizatimeve apo fjalëve të ndyta e të ulëta. Allahu thotë: “…thuaj: “A mos vallë me Allahun, me shpalljet dhe me të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju mohuat fenë pasi patët besuar…” (Et-Teube 65-66).

Gjithashtu, prej dëmeve të saj është akuzimi i grave të ndershme, zemërdëlira e besimtare; njëkohësisht kjo konsiderohet prej shtatë gjynaheve më të mëdha. Allahu thotë: “Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën. Për ta ka dënim të madh ditën që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë” (En-Nur 23-24).

Ibën Kajimi thotë: “Prej gjërave të çuditshme është kur sheh se njeriut i vjen lehtë të ruajturit nga shumica e harameve, ndërsa i vjen shumë rëndë ruajtja e lëvizjeve të gjuhës së tij. Kështu, sheh njeri që të gjithë bëjnë me gisht drejt tij, për shkak të fesë, asketizmit dhe adhurimit të tij, ndërsa ai flet me fjalë që e hidhërojnë Allahun dhe të cilave nuk ua kushton fort vëmendjen; rrëshqet me një fjalë të vetme më larg se distanca ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.
“Ki kujdes nga gjuha jote, o njeri, të të mos thumbojë, se ajo është gjarpri.
Sa njerëz që janë në varre i ka vrarë e që takimit me ta ia kishin drojën edhe
burrat guximtarë” (Vargje poetike).

Kijeni frikë Allahun, vëllezër muslimanë, dhe dijeni se jeni nën Mbikëqyrjen e Tij. Kush e ka frikë Allahun, sigurisht se do të triumfojë me Dashurinë e Tij! Allahu thotë: “Padyshim se kushdo që përmbush premtimin, e çon në vend amanetin dhe i frikësohet shumë Allahut, atëherë, me të vërtetë që Allahu i do shumë ata që janë të devotshëm” (Al-Imran, 76).

Dhe Umeri (radijallahu anhu) thotë: “Kujt i shpeshtohen fjalët, i shpeshtohen lëshimet. Kujt i shpeshtohen lëshimet, i shpeshtohen gjynahet. Kujt i shpeshtohen gjynahet, Zjarri është që më së shumti i shkon përshtati”.
Kështu që kijeni frikë Allahun, vëllezër muslimanë, dhe ruajini gjuhët tuaja nga çdo gjë që i njollosë ato. Shpeshtoni përmendjen e Allahut ashtu siç edhe ka urdhëruar: “…dhe Zotin tënd përmende shumë dhe lavdëroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes”. (Al-Imran 41).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit