Presidencialet 2024, amerikanët i drejtohen kutive të votimit

Mos i humb

Ka 50 shtete në Amerikë dhe shumica e tyre votojnë për të njëjtën parti, qofshin demokratë apo republikanë, në çdo palë zgjedhjeje. Kjo të lë mundësinë se do të jetë vetëm një numër i vogël shtetesh që mund të vendosin për fitoren e secilit kandidat në zgjedhjet e vitit 2024.

Në këto zgjedhje janë 7 shtete kyçe.

Në foton më poshtë tregon se si ndahen votat e Kolegjit Elektoral për secilën nga këto shtete:

Në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në total 538 vota të Kolegjit Elektoral. Fitues do të jetë kandidati që do të marrë 270 ose më shumë vota.

Tek të gjitha shtetet, përveç dy prej tyre, kandidati presidencial me më shumë vota individuale nga banorët fiton të gjitha votat e Kolegjit Elektoral të shtetit.

Nëse të dy kandidatët fitojnë të gjitha shtetet që kanë fituar historikisht dhe që tregojnë sondazhet, kjo do të bënte që Kamala Harris të jetë vetëm 44 vota larg fitores, ndërsa Donald Trump në kërkim të 51 votave që të jetë në gjendje të bëhet president sërish.

Shtetet që do të përcaktojnë fitoren do t’i quajmë nga ky moment si shtetet e lëkundura dhe në total ato kanë 93 vota.

Secilit prej kandidatëve i duhet që të fitojë të paktën tre shtete të lëkundura për të fituar garën. Ka shumë kombinime të ndryshme të cilat mund t’u sigurojnë 270 ose më shumë vota të Kolegjit Elektoral dy kandidatëve. Disa prej këtyre skenarëve ka më shumë mundësi të ndodhin se të tjerat.

Në skenarët më poshtë do të shikojmë se si mund të arrijnë kufirin prej 270 votash kandidatët dhe çfarë ndodh nëse askush nuk e arrin atë.

Tre shtetet e lëkundura të Pensilvanisë, Miçiganit dhe Uiskonsinit janë zemra e industrisë së prodhimit në SHBA dhe ndodhen në veri. Trashëgimia industriale do të thotë që shumë prej votuesve në këto shtete kanë qenë tradicionalisht anëtarë të sindikatave me një histori të gjatë votimi për demokratët. Në fakt, demokratët i kanë marrë të tri shtetet në të paktën në tetë zgjedhjet e fundit presidenciale. Kur ndërruan krah për Donald Trump në 2016-ën, ndërruan krah të treja njësoj. Së bashku këto shtete kanë 44 vota të Kolegjit Elektoral (Uiskonsini – 10; Miçigani – 15; Pensilvania 19).

Historia tregon që një kandidat mund t’i marrë të treja këto shtete. Nëse këtë e bën kandidatja Kamala Harris, atëherë ajo fiton zgjedhjet. Nëse Donald Trump i merr sërish këto shtete, do duhet të fitojë të paktën edhe një tjetër.

Për Harris, çelësi i fitores në këto shtete, si edhe në shumë të tjera në të gjithë vendin, është grumbullimi i votave përreth qyteteve duke siguruar që votuesit me ngjyrë, minoritarët dhe ata të arsimuar në kolegj të dalin në ditën e zgjedhjeve bashkë me votuesit e klasës së mesme në periferi, veçanërisht gratë.

Forca e Trump në këto shtete është e kundërta. Ai i fitoi zgjedhjet e vitit 2016 nga zonat rurale të këtyre shteteve. Trump shpreson se mund të marrë edhe më shumë vota në zonat rurale këtë vit. Fushata e tij është përqendruar në bindjen e të rinjve që mund të mos kenë votuar kurrë më parë për të shkuar drejt votimeve.

Shteti kyç i Harris: Pensilvania

Pensilvania është “çmimi i madh” i shteteve të lëkundura me 19 vota elektorale. Nëse Kamala Harris mund të fitojë Pensilvaninë plus një nga shtetet mes Uiskonsin dhe Miçiganit, detyron Trump që të fitojë pastër në të gjitha shtetet e tjera nëse do të marrë presidencën. Me Pensilvaninë, ajo mund t’i kalojë 270 votat elektorale.

“Sipas disa projeksioneve, kandidati që fiton Pensilvanisë ka 90% shanse që të fitojë Shtëpinë e Bardhë. Kaq shumë e rëndësishme është. Në një farë mënyrë Pensilvania është një mikrokozmos i Shteteve të Bashkuara. Ka shumë qytete të dominuara nga demokratët ndërsa zonat rurale janë pro republikanëve”, tha Anthony Zurcher, korrespondenti i BBC-së për Amerikën e Veriut.

Skenari tjetër

Shtetet e tjera të lëkundura në jug të SHBA-së janë Nevada, Arizona, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia. Në total ato kanë 49 vota elektorale (Nevada – 6; Arizona – 11; Karolina e Veriut – 16; Xhorxhia – 16).

Nëse Harris i merr të katërta këto shtete mund të bëhet presidente.

Sidoqoftë duket një skenar gati i pamundur fitoreje për Harris pasi demokratët nuk i kanë fituar të katërta këto shtete që kur Harry Truman u zgjodh president në vitin 1948.

Nëse Trump i fiton të katërta, sërish i duhet edhe një shtet nga grupi i veriut. Por ndryshe nga demokratët, republikanët kanë një histori fitoreje në të katërta shtetet. Presidenti Nixon, Reagan, Bush dhe Bush JR i fituan të katërta shtetet në një ose më shumë palë zgjedhjesh.

Janë dy grupe kryesore që mund të ndihmojnë në vendosjen e rezultatit aty: votuesit me ngjyrë dhe latinët.

Në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, një përqindje e madhe e votuesve janë me ngjyrë. Harris shpreson që të kapë rezultatin e Joe Biden me këta votues. Ai fitoi 92% të të gjithë votuesve me ngjyrë në SHBA në vitin 2020. Por disa sondazhe thonë se Harris po vuan që të arrijë të njëjtat shifra.

Arizona dhe Nevada kanë rritjen më të shpejtë të popullsisë latine dhe për një kohë të gjatë, demokratët shpresojnë se rritja e votuesve të tillë në çdo shtet do të rrisë automatikisht shanset e tyre për fitore. Megjithatë Donald Trump habiti në lidhje me votuesit latinë në dy zgjedhjet që kandidoi për shkak të perceptimit në ekonomi.

Por në këto zgjedhje, republikanët shqetësohen për komentet rreth qytetarëve me origjinë nga Puerto Riko apo vendet e tjera latine gjatë mitingjeve të Trump.

Shteti kyç i Trump: Karolina e Veriut

Donald Trump ka dalë fitues në Karolinën e Veriut në dy palë zgjedhjesh dhe nuk konsiderohej si shtet i lëkundur deri kur Kamala Harris mori çelësat e fushatës zgjedhore si kandidate.

Nëse Trump dështon që të marrë këtë shtet, atëherë edhe rruga e tij drejt Shtëpisë së Bardhë bëhet më e vështirë.

Për këtë arsye duhet që të fitojë të paktën dy shtete në veri dhe dy shtete në jug. Ky shtet ka votuar për kandidatët demokratë njëherë në 1980 dhe për Presidentin Obama në vitin 2008.

Por ka shanse që Harris të fitojë nëse ajo mund të frymëzojë votuesit me ngjyrë, siç bëri Obama.

Si u ndanë zgjedhjet e kaluara?

Në dy zgjedhjet e fundit, kandidatët fitues, Donald Trump në 2016 dhe Joe Biden në 2020, fituan gjashtë nga shtatë shtetet e lëkundura të 2024-ës.

Trump humbi Nevadën prej vetëm 27 mijë votuesve, ndërsa Biden në Karolinën e Veriut me 75 mijë votues. Por Biden përmirësoi rezultatin e Hilary Clinton në 2016, e cila humbi me më shumë se 100 mijë vota aty.

Një diferencë e vogël mund të bënte që Trump dhe Biden të merrnin të gjitha shtetet dhe në këto zgjedhje ka mundësi që kandidatët të bëjnë të njëjtën gjë.

Asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë avantazh të madh në shtatë shtetet, por marzhi i gabimit në sondazhe do të thotë se njëri prej tyre mund të jetë më përpara tjetrit ndryshe nga sa duket.

Nëse sondazhet kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trump siç bënë në 2016 dhe 2020, kjo mund të përfundojë me të që merr të shtata shtetet e lëkundura.

Por po ashtu edhe për Kamala Harris. Nëse supozimet e anketuesve për pjesëmarrjen janë të gabuara dhe entuziazmi brenda demokratëve ndihmon në nxjerrjen e një numri rekord për të votuar për Kamala Harris, atëherë ajo mund të dalë fituese në një hartë që do duket si ajo që mori Biden në zgjedhjet e 2020.

Po nëse dalin barazim?

Ka disa kombinime të ndryshme shtetesh që mund të çojë në rezultatin përfundimtar barazim, pra Harris e Trump të marrin nga 269 vota elektorale.

Më e diskutuara këtu është nëse Harris dështon të marrë votën e vetme që ajo pritet të fitojë në Nebraska. Bëhet fjalë për një nga shtetet që i ndajnë votat e Kolegjit Elektral fituesve në rrethe dhe nuk ia japin të gjitha kandidatit me më shumë vota në shtet.

Pa atë votën e vetme nga distrikti i dytë në Nebraska, rruga drejt fitores e demokratëve, duke fituar të gjitha shtetet e lëkundura në veri, do të përfundonte në barazim.

Kjo do të sillte që presidenti të vendosej më pas nga një votim në Kongres ku secili shtet merr një votë të vetme, ndryshe nga Kolegji Zgjedhor ku shtetet me më shumë qytetarë marrin më shumë vota.

Kjo pothuajse me siguri do të rezultonte në zgjedhjen e Donald Trump si president pasi republikanët priren të fitojnë më shumë shtete në çdo zgjedhje, pavarësisht se demokratët kanë marrë më shumë vota në total në të gjithë vendin në shtatë nga tetë zgjedhjet e fundit presidenciale.

“Zgjedhjet këtë vit janë aq afër në sondazhe saqë shtetet e lëkundura mund të dalin në një rezultat që askush nuk e pret”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit