Prishtinë, organizohet pritje me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve

Mos i humb

Me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve, 8 prillit, në Prishtinë Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës organizoi pritje për të kujtuar këtë ditë të këtij populli, që shënohet për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet ky komunitet.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, para përfaqësuesve të korit diplomatik, të organizatave joqeveritare rome në vend, si dhe të ftuarve të tjerë, njoftoi se qeveria aktuale ka hartuar një strategji të veprimit për përfshirjen e komunitetit romë në shoqërinë kosovare dhe theksoi se është koha për zbatimin e kësaj strategjie.

“Jam i bindur se në zbatim të strategjisë do të gjejmë jo vetëm resurset, por edhe vullnetin e ndërsjellë të të gjitha niveleve të institucioneve tona, edhe të atyre komunale që fëmijët romë kur të fillojnë shkollimin të mund të jenë të përkrahur edhe me tekste shkollore dhe të kenë mundësinë që të mësojnë në gjuhën e tyre”, tha Haradinaj.

Kreu i Partisë Rome të Bashkuar dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Albert Kinolli, theksoi se kanë marrë përkrahjen dhe mbështetjen e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Haradinaj sa i përket punës së tyre si përfaqësues të komunitetit.

Kinolli foli për ndryshimin e formatit të organizimit të kësaj dite, duke theksuar se në të kaluarën janë mbajtur tryeza të rrumbullakta kushtuar kësaj dite, në të cilat sipas tij, ka patur shumë fjalë e pak punë.

“Më herët ka qenë traditë që këtu të vendosen disa tavolina, të mbahen disa fjalime dhe të dalim me disa rekomandime të cilat për fat të keq shumë pak kanë gjetur zbatim. Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin Haradinaj, por edhe ne si pjesë e kësaj qeverie kemi obligim ndaj qytetarëve bazuar në praktikat e kaluara që të flasim shumë pak, ndërsa shumë më shumë të punojmë”, tha Kinolli.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit të Kosovës, Gazmen Salijevic, tha se edhe pas dhjetë viteve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës komuniteti rom i Kosovës ende ballafaqohet me varfëri. 
Ai u shpreh se problemi është i qartë por duhet të përmirësohet qasja e moskujdesit dhe mos zgjidhjes së cështjes së romëve.

Sipas tij numri i romëve nëpër institucionet shtetërore duhet të rritet, ndërsa duhet të zgjidhet edhe problemi i 140 studentëve rom ku asnjëri nga ata nuk janë të punësuar.

Ndryshe, Dita ndërkombëtare e romëve është një festë e kulturës rome dhe përdoret për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet ky komunitet. Dita u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni, vendi ku u zhvillua Kongresi i katërt Botëror i Unionit Ndërkombëtar të Romëve në kujtim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë mbajtur në Chelsfild, afër Londrës mes datave 7 dhe 12 prill 1971./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit