FJALA E TABAKUT:

Është paraqitur nga Partia Demokratike  një kërkesë për mocion me debat dhe një projekt-rezolutë për çështjen e Kosovës. Unë gjykoj që është në nderin e këtij  Parlamenti që për çështje të cilat i takojnë Kosovës, ne duhet që patjetër të bëhemi bashkë.

Rezoluta të cilën ne e kemi prezantuar është diskutuar njëkohësisht dhe me kolegët në Parlamentin e Kosovës, janë marrë mendime dhe të palëve tjera, përmenden të gjitha rezolutat e shkuara të miratuara për Kosovën në Shqipëri, të gjitha seancat e jashtëzakonshme, por edhe të gjithë dokumentet ndërkombëtar.

Unë mendoj që neve nuk kemi asnjë kompleksitet edhe nëqoftëse ka sygjerime për rezolutën për t’ju shtuar, ashtu siç duhet të ishim bërë patjetër bashkë për ta prezantuar këtë rezolutë, jemi të gatshëm, që edhe nëse keni ndonjë mendim, ta sygjerojmë dhe ta ndryshojmë këtu. Por në këtë moment, kur në prioritetet kryesore të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit duhet të ishte patjetër Kosova, kur Kosova ka aplikuar për anëtarësi në Këshillin e Europës, kur diskutohet procesi i liberalizimit të vizave, diskutohet për procesin e integrimit , unë besoj që Parlamenti i Shqipërisë duhet të jetë krah Kosovës, së pari duke miratuar një rezolutë për të njohur krimet serbe në Kosovë dhe së dyti, duhet patjetër të kalojmë ndasitë politike dhe të tregojmë që ky Parlament për çështjen e Kosovës bëhet bashkë.

Besoj që duhet t’i lëmë protagonizmat politik dhe duhet t’a lëmë faktin se kush e ka propozuar këtë. Ne duhet të bashkohemi kur vjen çështja për Kosovën dhe interesin tonë të përbashkëta aq më tepër kur bëhet fjalë për denoncimin dhe dënimin e genocidit, edhe një herë, genocidit serb në Kosovë, një genocid i ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës por edhe etnive të tjera atje.

Të mos harrojmë në parlamentin e Kosovës ku ka edhe deputetë të etnisë Serbe një rezolutë e dënimit të genocidit serb në Kosovë nuk ka marrë asnjë votë kundër! Ndaj është detyrë për Kuvendin e Shqipërisë që të miratojë këtë rezolutë.

Këtë e ka propozuar Partia Demokratike e Shqipërisë  dhe Z. Alibeaj dhe nuk kemi absolutisht asnjë protagonizëm politik, përveçse interesit kombëtar, në këtë rast për njohjen e genocidit serb në Kosovë dhe për përcaktimin e një date, që për ne është më mirë të ishte 15 janari për të nderuar të gjitha viktimat e këtij genocidi, ashtu siç duhej bërë në fakt për Srebrenicën, për të cilën kemi propozuar datën 11 korrik.