Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK kanë kontestuar procedurën e shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit 2025.
Sipas tyre, ky projekt-buxhet duhet të kthehet prapa pasi është edhe anti-kushtetues.
Mirëpo këto pretendime i kanë mohuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se në bazë të vendimmarrjes së seancës do të shqyrtohen të gjitha rrjedhojat nëse ka pasur shkelje procedurale.
Pas diskutimeve, partitë opozitare lëshuan sallën plenare.
Kritika adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili përmendi edhe shkeljet ligjore që sipas tij përmban Ligji për buxhetin. Ai tha se përmes një ligji që ka karakter vjetor nuk mund të ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publik dhe Ligji për tatimin në pronë.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se proceudra sesi ka ardh buxheti i vitit 2025 në lexim të dytë në Kuvend do ta turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare.
Ai tha se mazhoranca s’ka shqyrtuar as kërkesat e organizatave buxhetore si komunave të Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit.
Përgjigje ndaj këtyre pretendimeve dha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se në bazë të vendimeve që merren në seancë do të trajtohen në kryesi nëse ka pasur shkelje procedurale.


