Protesta antiqeveritare në Indonezi, qindra të plagosur

Mos i humb

Xhakartë

Në protestat studentore të zhvilluara në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, kundër propozimeve për ndryshimin e disa ligjeve për antikorrupsionin dhe në kodin penal janë plagosur 210 persona ndërsa janë arrestuar 649 të tjerë.

Guvernatori i Xhakartës, Anies Baswedan deklaroi se 210 persona janë plagosur gjatë protestave të zhvilluara mbrëmë në pika të ndryshme të kryeqytetit me qëllim anulimin e ndryshimeve të ligjeve për antikorrupsionin dhe në kodin penal.

“Nga të plagosurit vetëm 15 prej tyre kanë patur nevojën për trajtim mjekësor në spital”, tha Baswedan duke mos dhënë informacion lidhur me numrin se sa nga të plagosurit janë protestues dhe sa nga forcat e sigurisë.

Zyrtarët e policisë thanë se në protestat që kanë zgjatur deri në orët e vona të natës janë arrestuar 649 persona. Ata thanë se ka patur përleshje pasi janë sulmuar forcat e sigurisë dhe se protestuesit në shumë pika kanë dëmtuar disa prona publike.

Dje në vend u zhvilluan protesta në rajone të ndryshme të vendit si Makassar, Yogyakarta, Solo dhe Bali.

Parlamenti miratoi ligjin kundër korrupsionit më 17 shtator, por miratimi i projektligjit që përfshin ndryshimet në kodin penal, u pezullua pas reagimeve.

Ndryshimi i bërë në ligjin kundër korrupsionit paraqet shqetësimet se ai dobëson institucionin për luftën kundër korrupsionit dhe se ky do të rritë edhe më shumë këtë.

Këto ndryshime kundërshtohen me arsyetimin se do të kufizohen të drejtat e njeriut dhe liria e shprehjes si dhe do të rritet presioni mbi shoqërinë me ndryshimet në fjalë të cilat parashikojnë përfshirjen në kuadër të krimit bashkëjetesën jashtë martesore, marrëdhëniet homoseksuale, abortin pa vendim të mjekut dhe ofendimet ndaj presidentit.

Ndërkohë që qeveria protestat i cilëson si “përpjekje të atyre që duan të rrëzojnë qeverinë në rrugë të paligjshme”.

Zyrtarët kanë njoftuar se 3 persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve të shënuara në protestat studentore të zhvilluara kundër ndryshimeve ligjore që nga fillimi i javës në qytete të ndryshme, përfshirë edhe kryeqytetin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit