Në konfliktet mes policisë dhe protestuesve, të cilët kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve që humbi kandidati presidencial Prabowo Subianto në Indonezi, u vranë 6 persona dhe u plagosën 200 të tjerë.
Guvernatori i kryeqytetit Xhakarta, Anies Baswedan, në një deklaratë ka bërë të ditur se kanë humbur jetën 6 persona dhe 200 të tjerë u plagosën në ngjarjet gjatë protestave ku janë kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura në vend.
Baswedan, i cili vizitoi të plagosurit në spital, u bëri thirrje protestuesve që të mos prishin rendin dhe rregullin.
Protestuesit që policia u përpoq mbrëmë t’i shpërndante iu kundërpërgjigjën forcave të sigurisë me bomba molotov dhe fishekzjarre. Si pasojë e ngjarjeve janë arrestuar të paktën 20 persona.
Subianto, kreu i Partisë kryesore opozitare të Lëvizjes së Indonezisë së Madhe (Gerindra), i cili kundërshton rezultatin e zgjedhjeve me pretendimin se janë kryer mashtrime në rezultatin e shpallur nga Komisioni Zgjedhor, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij për zhvillimin e protestave paqësore.
Edhe sot pritet të vazhdojnë me pjesëmarrje të gjerë protestat në kryeqytet, ku janë në gatishmëri mijëra forca policore.
Komisioni i Zgjedhjeve sot njoftoi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale dhe ato parlamentare të mbajtura më 17 prill në Indonezi. Sipas këtyre rezultateve komisioni shpalli se është zgjedhur sërish president, presidenti aktual Joko Widodo, kandidat nga Partia e Luftës Demokratike e Indonezisë (PDI-P) me 55.50 për qind, ndërsa Subianto mori 44.50 për qind të votave.


