
Sektori dy në burgun e Drenovës, në qarkun e Korçës, ka hyrë sot në protestë. 24 persona që vuajnë dënimin në këtë burg po kundërshtojnë vendimin që u kufizon atyre takimin me familjarët.
Mes të dënuarve për të cilët gjykata vendosi mbikëqyrje të veçantë ishin Aleksandër Llanaj, Aleksandër Sinanaj dhe Klodian Premçi. Siç argumentonin autoritetet e burgjeve, të dënuarit refuzuan praninë e të dënuarit Pajtim Abazi në sektorin e sigurisë së lartë dhe më pas kërkuan që aty të sillej Salvadore Lettizia, një i dënuar për vrasje të trefishtë në Shqipëri.
Në muajin maj të këtij viti, të dënuarit dogjën dyshekët në formë revolte dhe gjatë përplasjes me forcat e sigurisë jo zyrtarisht thuhet se u kërcënua edhe kreu i këtij burgu.
Për këtë çështje, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka pyetur Agron Ismailin, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, se ka indicie se drejtori i burgut të Drenovës është kërcënuar nga një i dënuar i dosjes Lazarati.
“Jo nuk është kërcënuar, nuk kemi asnjë shqetësim nga të burgosurit, të burgosurit po e kuptojnë për ditë e më shumë se nuk shtyhet problemi për të ashpërsuar masat, por për të zbatuar rregulloren”, deklaroi Ismaili një muaj më parë.


