PSE DUHET TA NXËMË PËRMENDSH KURANIN? (2)

Mos i humb

Nxënia përmendsh e Kuranit është projekt që nuk njeh dështim:

Frika nga dështimi paraqet një pengesë që ndërhyn në mes shumë njerëzve dhe ambicieve të tyre. Frika e arrin volumin aq sa është sasia e ambicies. Shumë projekte dhe ambicie të njerëzve kanë dështuar shkaku i hyrjes në konflikt real me frikën nga dështimi dhe shkaku që nuk kanë arritur ta largojnë këtë pengesë. Megjithatë, pavarësisht debatit të brendshëm shpirtëror, ku në të dominon ndjenja e frikës nga dështimi, te projekti i nxënies përmendsh të Kuranit nuk ka vend për këtë mendim. Vallë, përse?

Kur një i ri e fillon projektin e tij ambicioz, të bëhet hafëz i Kuranit, por me kohë bie shpirtërisht derisa i harxhohet vullneti dhe nuk arrin ta përfundojë synimin e tij, parashtrohet pyetja se a ka dështuar apo jo realisht, kur dihet se gjatë kësaj periudhe ka mësuar përmendsh disa pjesë të Kuranit. Mundi i tij nuk ka shkuar poshtë. Por, edhe nëse supozojmë që nuk ka mësuar shumë përmendsh, vetëm kohën që e harxhoi në lexim dhe në nxënie përmendsh të Kuranit, duke e privuar veten nga shumë epshe dhe kënaqësi, është kohë e harxhuar në adhurimin e Allahut. Mos të harrojmë se sa ajete e sure i ka përsëritur gjatë leximit, duke fituar për çdo germë nga dhjetë shpërblime.

Hafëzët e Kuranit janë të dashurit e Allahut dhe të veçuarit e Tij:

Nga nderimi i plotë i Allahut për hafëzët është të qenët i dashur i Allahut dhe i veçuari i Tij. Para këtij përshkrimi dhe nderimi përbuzet çdo nderim tjetër që pas tij shkojnë njerëzit në dynja. A ka nderim më të madh se kur një rob i varfër dhe i ngratë shndërrohet në i dashur i Allahut dhe i veçuari i Tij. Pikërisht të dashurit e Allahut janë më meritorët për ta arritur mëshirën, faljen, dashurinë dhe afërsinë e Allahut.

Enes ibn Maliku përcjell që Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu ka të dashur nga njerëzit.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut! Cilët janë ata?!” Tha: “Ata janë hafëzët e Kuranit, ata janë të dashurit  e Allahut dhe të veçuarit e Tij.”[1]

Çdo njeri le t’i atribuohet përshkrimit që e do: pushtetar, pasanik, artist, sportist etj.; le të mbushen faqet e librave me çdo përshkrim dhe lëvdatë, por, megjithatë a mund të vijë me diçka më të plotë se përshkrimin e hafëzëve me të dashurit e Allahut dhe të veçuarit e Tij?

Respektimi i hafëzit të Kuranit është nga madhërimi i Allahut:

Respekti ndaj hafëzit të Kuranit është nga madhërimi i Allahut. Ebu Musa el-Eshariju transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nga madhërimi i Allahut është ta respektosh myslimanin e moshuar, ta respektosh hafëzin e Kuranit, i cili e lexon dhe punon me të, pa e tepruar (pa e ngarkuar me rregulla të texhvidit) dhe pa mangësuar, si dhe respektimi i pushtetarit të drejtë.”[2]

Kjo është dëshmi për pozitën dhe namin e lartë të tij.

Respekti i hafëzi të Kuranit nuk vjen se është filani apo filani, po për shkak se e bart me vete fjalën e Allahut, kështu që respektimi i tij bën pjesë në madhërimin e Allahut.

Hafëzi i Kuranit është më meritori për t’ia pasur zili:

Allahu i ngriti disa njerëz më lart mbi të tjerët në këtë dynja. Allahu thotë: “Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Zotit tënd? Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lart mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.” (Ez-Zuhruf: 32)

Po ashtu thotë: “Shiko, si Ne i parapëlqejmë disa ndaj të tjerëve. Kurse bota tjetër, në të vërtetë, do të ketë shkallëzime më të mëdha dhe parapëlqime më të theksuara.” (El-Isra: 21)

Disa njerëz i bëri Allahu të kenë pasuri të majme, të kenë famë në mesin e njerëzve, të kenë pushtet dhe pozitë, e njerëzit ua bëjnë me gisht, i shikojnë dhe u marrin lakmi, ua kanë zili për të mirat që i posedojnë, derisa ndonjëri të thotë: Ah sikur të isha si ai!.

Kurse ai që realisht e meriton të xhelozohet dhe ta marrë në shoqëri këtë pozitë është hafëzi i Kuranit.

Ibn Omeri transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Zilia nuk lejohet, përveçse në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës. Dhe t’ia kesh zili një njeriu që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë, gjatë ditës dhe gjatë natës.”[3]

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Zilia nuk lejohet, përveçse në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës dhe, kur e dëgjon fqinji i tij, thotë: Ah, sikur të më ishte dhënë edhe mua kjo dhunti sikurse iu dha filanit dhe të punoja me të sikurse punon ai. Dhe t’ia kesh zili një njeriu që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë, e tjetri kur e sheh veprimtarinë e tij thotë: “Ah, sikur të më ishte dhënë edhe mua pasuria sikurse iu dha filanit dhe të punoja sikurse punon ai.”[4]

Nxënia përmendsh dhe leximi i Kuranit janë nga gjërat më të mira të dynjasë:

Njerëzit gëzohen kur e fitojnë dinarin dhe dërhemin, e ruajnë dhe e tubojnë atë, por hafëzi i Kuranit dhe lexuesi i Kuranit fitojnë shumë më shumë mirësi se kaq dhe të përhershme.

Ebu Hurejra h transmeton se Pejgamberi, alejhi selam,ka thënë: “Kush dëshiron prej jush kur të kthehet në shtëpi t’i gjejë tri deve të mëdha dhe të majme?” Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i Allahut, të gjithë e duam këtë.” Tha: “Tri ajete që ndonjëri prej jush i lexon në namazin e tij, janë më të mira për të se tri devetë e mëdha dhe të majme.”[5]

Ukbe ibn Amiri h thotë: “Ishim duke qëndruar në ‘es-suffa’[6] dhe Pejgamberi, alejhi selam, doli jashtë e na tha: – Kush nga ju dëshiron që për çdo ditë në mëngjes herët të shkojë deri në But’han ose deri në El-Akik[7] dhe prej aty të vijë me dy deve me gunga të mëdha, pa bërë gjynah dhe duke mos i shkëputur lidhjet farefisnore? I thamë: – O i Dërguari i Allahut, të gjithë e duam këtë. Tha: – Të shkojë ndokush nga ju në xhami dhe t’i mësojë ose t’i lexojë dy ajete nga libri i Allahut, është më e mirë për të se dy deve, tri (ajete) janë më të mira se tri deve, katër (ajete) janë më të mira se katër deve. Sado që të jetë numri i ajeteve, çdoherë janë më të mira se numri i deveve.”[8]

Tekstin e hadithit ke për ta kuptuar më qartë vetëm kur e kupton faktin që devetë atëkohë ishin pasuria dhe malli më i shtrenjtë.

Çfarë mendon, vëllai im, si është gjendja e atij që mëson përmendsh, e lexon në vazhdimësi dhe e lëviz zemrën me këshillat e Kuranit? Ti ke zgjedhur drejt, ia ke qëlluar cakut dhe je duke ecur rrugës së drejtë, kur ke vendosur t’i thyesh gjunjët në xhami për ta mësuar Kuranin. Rruga që ti e ke zgjedhur nuk mund të krahasohet me rrugën që e kanë marrë moshatarët e tu, të cilët janë dhënë pas dëfrimit dhe dynjasë. Nëse ende nuk e ke marrë këtë rrugë, ndiqe instinktin tënd apo nxito të hysh në këtë mejdan.

Hafëzi i Kuranit është më meritor t’u prijë njerëzve në namaz:

Namazi është shtylla e fesë dhe e dyta me radhë prej shtyllave të Islamit. Gjëja e parë prej veprave që njeriu do të merret në llogari për to në Ditën e Kiametit është namazi. Nuk ka vepër që lënia e saj llogaritet kufër (femohim) si braktisja e namazit. Me një fjalë, vlera dhe pozita e tij është shumë e lartë. Për këtë shkak, kur Pejgamberi, alejhi selam, i dha Ebu Bekrit përparësi para të tjerëve të dilte imam në namaz, sahabët ndien kënaqësi që ai t’u printe në një çështje prej fesë së tyre, kështu që, pas vdekjes së Pejgamberit m, ia besuan amanetin të ishte udhëheqës për çështjet e dynjasë së tyre.

Kujt i jepet përparësi t’u prijë njerëzve në namaz? Normalisht që hafëzit të Kuranit.

Ebu Seid el-Hudriju h përcjell që Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nëse janë tre persona, njëri prej tyre le t’ju prijë në namaz. Më meritor për imam është ai që di përmendsh më shumë prej Kuranit.”[9]

Ebu Mesud el-Ensariju përcjell që Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Le t’ju prijë njerëzve në namaz ai që di më shumë Kuran nga ju, por, nëse jeni të barabartë në Kuran, atëherë le t’ju prijë ai që di më shumë për sunetin nga ju e, nëse jeni të barabartë në njohjen e sunetit, atëherë le t’ju prijë ai që ka bërë hixhret (prej Mekës për në Medinë) më herët se të tjerët dhe, nëse jeni të barabartë në emigrim, atëherë le t’ju prijë ai që është më i vjetër në Islam. Nuk ka të drejtë askush t’i prijë tjetrit në namaz në vendin ku ai e ka të drejtën e pushtetit (në xhami, shtëpi etj.) dhe as t’i ulet në shtratin personal në shtëpi, pa lejen e tij.”[10]

Hafëzi i Kuranit është më meritor të caktohet për udhëheqës:

Përveçqë është meritor t’u prijë njerëzve në namaz, hafëzi është më meritor për udhëheqje dhe qeverisje. Nafi’ ibn el-Harithi, i cili ishte caktuar prej Omerit për guvernator në Mekë, tregon për rastin e takimit të tij me Omerin  në fshatin Usfan[11]. Omeri i tha: – Cilin e le të të zëvendësojë në Mekë? Tha: – Ibn Ebzanin. – E kush është ky Ibn Ebzani? – pyeti Omeri. Tha: – Ka qenë rob prej robërve (dhe është liruar më pas nga robëria)! – U ke lënë për udhëheqës njeri që ka qenë rob? – i tha Omeri. Tha: – Ai është hafëz i Kuranit dhe dijetar i shkencës së feraidit (njohje e së drejtës trashëgimore në sheriat). Omeri tha: – I Dërguari, alejhi selam, ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i ngre disa popuj me këtë Libër dhe disa të tjerë i ul.”[12]

Gjeneratat e para e kishin të qartë pozitën e hafëzit të Kuranit, e kjo i shtynte t’i tejkalonin botëkuptimet e ngushta që i prangosnin mendjet e njerëzve dhe u jepnin pozitën e merituar atyre që bartnin cilësi të mira.

Kur ti synon të bëhesh hafëz i Kuranit, ajo që të shtyn nuk është udhëheqja, e as qeverisja apo imamllëku, por ti e ke parasysh se përparësinë që Islami ia jep hafëzit të Kuranit është dëshmi për vlerën dhe pozitën e tij. Kështu që ti e synon këtë mirësi dhe pozitë e jo pushtetin apo qeverisjen.

 

(Pjesë nga libri: “Nxënia përmendsh e Kuranit” – është i përkthyer në shqip)

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit