Publikohet deklarata e përbashkët e Samitit të G20-tës

Mos i humb

Duke bërë thirrje për tregti “të lirë dhe të ndershme”, deklarata e përbashkët nga takimi i G20-tës në Osaka të Japonisë ka anashkaluar përmendjen e proteksionizmit tregtar në tregun e lirë.

“Ne përpiqemi të realizojmë një ambient të lirë, të paanshëm, jodiskriminues, transparent, të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm tregtie dhe investimesh dhe të mbajmë tregjet tona të hapura”, citoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo deklaratën e përbashkët të G20-tës të publikuar në fund të samitit të liderëve.

Lidhur me parandalimin e rreziqeve të mëdha negative në ekonominë globale prej të cilave shtetet anëtare të G20-tës përfaqësojnë 85 përqindëshin, liderët e G20-tës riafirmuan të përdorin “të gjitha mjetet e politikave” për të realizuar rritje të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse pa u zotuar për të luftuar proteksionizmin.

Tregu global ka qenë dëshmitare e një lufte intensive tregtare ndërmjet dy ekonomive më të mëdha, SHBA-së dhe Kinës, pasi të dyja kanë rritur tarifat për mallrat e njëra-tjetrës. Megjithatë, Washingtoni dhe Pekini ranë dakord të rifillojnë negociatat e marrëveshjeve tregtare në të ardhmen e afërt.

“Tregtia dhe tensionet gjeopolitike janë intensifikuar…Tregtia dhe investimet ndërkombëtare janë motorë të rëndësishëm të rritjes, produktivitetit, inovacionit, krijimit dhe zhvillimit të vendeve të punës”, janë shprehur liderët e vendeve të G20-tës.

Samiti i G20-tës, që përfaqëson rreth 80 për qind të ekonomisë botërore, erdhi në një kohë kur liderët përballen me një betejë të vështirë për ta ruajtur rëndësinë e grupit, pasi marrëveshjet shumëpalëshe në periudhën e fundit janë sulmuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Marrëveshja Klimatike e Parisit

SHBA ishte i vetmi vend anëtar i G20-tës që u dallua lidhur me Marrëveshjen Klimatike të Parisit.

Të gjithë 19 anëtarët e tjerë përfshirë, Turqinë dhe Bashkimin Evropian, premtuan të punojnë drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015.

SHBA u tërhoq nga marrëveshja pasi Trump erdhi në pushtet.

Washingtoni gjatë Samitit të G20-tës përsëriti qëndrimin e saj për t’u larguar jashtë marrëveshjes.

G20 përbëhet nga Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Argjentina, Australia, Bashkimi Evropian, Brazili, Britania, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Kanadaja, Kina, Koreja e Jugut, Meksika, Rusia, SHBA dhe Turqia.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit