Pupovci: Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit është një mesazh i qartë për klasën politike të Kosovës

Mos i humb

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit dhe ish-profesor në Universitetin e Prishtinës, përmes një postimi në facebook ka thënë se përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është një mesazh i qartë për klasën politike të Kosovës se vendimet nuk merren duke u bazuar në argumentin e fuqisë, por në fuqinë e argumentit.

Sipas Pupovcit, mesazhi më i keq u ka shkuar të rinjve që kanë dëshirë t’i vazhdojnë studimet ose të kërkojnë punë në ndonjë vend evropian, sepse përveç vizave, tani ata do ta kenë edhe një sfidë tjetër – të “luftojnë” për njohjen e diplomave të tyre jashtë Kosovës.

Ja postimi i tij i plotë:

Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është një mesazh i qartë për klasën politike të Kosovës se vendimet nuk merren duke u bazuar në argumentin e fuqisë, por në fuqinë e argumentit. Vendimi për shkarkim të menjëhershëm të gjithë zyrtarëve të lartë të AKA, pak javë pas marrjes së mandatit të qeverisë së re dhe pa asnjë arsyetim, nuk ka pasur si të kuptohet ndryshe përveç si ndërhyrje politike, që është e papranueshme në fushën e sigurimit të cilësisë.

Mesazhi që ju ka shkuar vendeve evropiane është se në arsimin e lartë të Kosovës nuk ka një proces të besueshëm të akreditimit, prandaj diplomat e fituara duhet të shihen me dyshim. Nuk është se, edhe më herët, nuk kanë pasur arsye të dyshojnë në cilësinë e diplomave të Kosovës, por tani ky dyshim është legjitimuar me një vendim zyrtar të një institucioni evropian.

Ndërkaq, mesazhi më i keq u ka shkuar të rinjve që kanë dëshirë t’i vazhdojnë studimet ose të kërkojnë punë në ndonjë vend evropian. Përveç vizave, tani ata do ta kenë edhe një sfidë tjetër – të “luftojnë” për njohjen e diplomave të tyre jashtë Kosovës. Për hirë të tyre duhet të merren të gjithë hapat e mundshëm për të minimizuar dëmin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit