Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë është shprehur se nuk e kupton arsyen pse Qeveria e Kosovës vazhdon të përplaset me Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu ai thekson se më këto veprime me veprimet, bën Qeverinë në Beograd të duket si palë e dëmtuar.
Diplomati amerikan i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë mbylljen e strukturave paralele dhe të degëve të Postës së Serbisë në veri, dhe synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Sipas tij, nuk është në interesin e askujt që Kosova të ketë mosmarrëveshje me miqtë e saj.
“Nuk e kuptoj pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Kosovës ka arritur disi ta bëjë Qeverinë serbe në Beograd të duket si palë e dëmtuar. Nuk e kam menduar që kjo do të ishte e mundshme, por ajo e ka bërë.
Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara po shpërfillen dhe përplasja me miqtë e Kosovës nuk është në interesin e askujt. Kosovarët nuk kanë nevojë që një amerikan t’iu tregojë që disa njerëz brenda administratës [së ish-presidentit amerikan, Donald] Trump kanë simpati të madhe për Serbinë. Nëse Trump fiton, ajo simpati mund të rikthehet.
Nuk shoh asnjë arsye për t’i justifikuar politikat e njerëzve që do të vendosnin presion ndaj Kosovës, pa asnjë arsye, dhe ta mbanin komod Serbinë, kur nuk është në interesin e askujt.
Prandaj, veprimet e Qeverisë së Kosovës janë enigmë për mua. Kam lexuar deklarata të Ambasadës amerikane dhe zemërimi vërehet qartë. Sërish, nuk shoh interes.
Nuk është se kam simpati të madhe për separatistët serbë në veri, apo për njerëzit që e kanë bërë urën çështje të nxehtë.
E kuptoj zemërimin. Por, ekzistojnë mënyra si të trajtohet dhe si të mos trajtohet kjo temë.
E kam në mendje flamurin e Kosovës. Ai flamur është dizajnuar për t’u dukur si flamuri i Bashkimit Evropian. Yjet në flamur përfaqësojnë popullsinë e Kosovës. Ai nuk është flamur amerikan, është kosovar.
Është flamur i mrekullueshëm, i cili tregon se Kosova nuk është krijesë e nacionalizimit etnik, por është vend i të gjithë atyre që jetojnë në të. Kjo është pikëpamja amerikane dhe e Bashkimit Evropian. Prandaj, nuk e kuptoj atë që po bën Qeveria e Kosovës”