
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Nina Angellovska, në një konferencë të përbashkët për media kanë promovuar projektimin dhe vendosjen e sistemeve fotovoltaike.
Duke theksuar se reformat më rrënjësore në Maqedoninë e Veriut po realizohen në sektorin e energjetikës, kryeministri Zaev tha se sistemet fotovoltaike vendosen në 36 komuna dhe 108 objekte publike, me qëllim të rritjes së prodhimtarisë së energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Zaev tha se me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bashkimi Evropian (BE) është dakorduar që të sigurojë 15,5 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës rurale, duke shtuar se shuma e përgjithshme e projektit, me bashkëfinancimin e qeverisë është 20,6 milionë euro.
“Kursimi i përgjithshëm vjetor i mjeteve për të gjitha 108 objektet mund të jetë rreth 190 mijë euro. Sipas kursimeve të parashikuara për pagesën e faturave të energjisë elektrike për subjektet juridike publike, investimi kthehet për 7,5 vite”, theksoi Zaev, duke shtuar se pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut dhe klima e saj ofrojnë një perspektivë të mirë për shfrytëzimin e energjisë diellore.
Ministrja e Financave, Nina Angellovska tha se në mbarë botën është rritur shfrytëzimi i energjisë diellore nga sistemet fotovoltaike, për shkak se teknologjitë po përsosen dhe shpenzimet materiale po zvogëlohen.
“Energjia solare është një zgjidhje primare e energjisë së rinovueshme dhe është veçanërisht e rëndësishme për shtetet e pazhvilluara. Maqedonia e Veriut si vend diellor me të vërtetë duhet të shfrytëzojë këtë burim për gjenerimin e energjisë e cila gjithsesi që është edhe më e lirë, ndërsa efektet janë të dyanshme”, tha Angellovska.
Projektimi dhe vendosja e sistemeve fotovoltaike është zbatuar nga ana e Ministrisë së Financave me mjetet e BE-së për zhvillim të infrastrukturës rurale, në bashkëpunim me Bankën Botërore si segment i veçantë i fondeve IPA për investime rurale.


