Qeveria e Maqedonisë sistemon 958 administratorë

Mos i humb

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në seancën e saj të fundit ka sjellë një vendim për të sistemuar nëpër vende të punës 958 administratorë, nga gjithsej 1600 sosh, sa qëndrojnë në shtëpi dhe marrin pagë mujore.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendës kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik, Hazbi Lika, dhe ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, të cilët në një takim me gazetarë, thanë se vendimi ka kaluar në mbledhjen e mbrëmshme qeveritare, pasi paraprakisht është punuar shumë për të harmonizuar pritjet e administratorëve me mundësitë të cilat i kanë institucionet.

Mançevski tha se kriteret që janë marrë në konsideratë gjatë sistemimit të 958 administratorëve nëpër vendet e punës kanë qenë fillimisht niveli i arsimit të kryer, por edhe numri i të punësuarve në institucionet përkatëse për të shmangur stërngarkimin, si dhe adresa e banimit në kontekst të largësisë me vendin e punës.

“Ligji parasheh që nëse e refuzojnë këtë ofertë e cila është në përputhje me arsimin dhe vendbanimin e tyre, do të transferohen në ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, saktësisht në listën për transfer të ministrisë ku vlejnë rregullat e njëjta për të gjithë, ku do të marrin ofertë, dhe nëse sërish e refizojnë, ndërpritet kontrata e punës”, tha Mançevski.

Sipas tij, vendimtare në gjetjen e një zgjidhjeje për problemin i cili daton nga viti 2008, ka qenë gatishmëria politike në qeveri përmes ndryshimeve në ligjin për nëpunësit administrativ dhe katër ligjeve tjera të cilat u miratuan në Kuvend, me çka këta adiminstratorë, do të mund të sistemohen edhe në sektorin publik, siç janë shkollat dhe spitalet, të cilën gjë e pamundësonte ligji i vjetër.

Zv/kryeministri Lika tha se nuk është e saktë data e nisjes së punës, megjithatë menjëherë pas përfundimit të konferencës për mediat, administratorët e sistemuar do të thirren për të nënshkruar marrëveshjen. Kryesorja mbi të gjitha, tha ai, është nisja e këtij procesi.

“Ne tashmë kemi grupet e punës të cilët do të kontaktojnë me administratorët por nuk mund të flasim për një datë të sigurtë, por kemi të përkufizuar një periudhë të përgjithshme, nga një deri në dy muaj të përfundojë me grupin e parë. Paralelisht me grupin e parë, po punojmë edhe për grupin e dytë i cili trajtohet më të njëjtat kritere ashtu siç janë trajtuar edhe grupi i parë”, tha Lika.

Çështja e 1600 administratorëve të punësuar, kryesisht shqiptarë të cilët kanë qëndruar në shtëpi por duke marrë pagë mujore, daton nga viti 2008, dhe për qëllim ka patur të rrisë përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucionet publike, por ata asnjëherë nuk u sistematizuan nëpër vende të punës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit