Qeveria: Shpenzimi i parave rezervë nuk përbën rrezik për buxhetin

Mos i humb

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka shpenzuar pothuajse të gjitha mjetet e planifikuara në vlerën prej 4.8 milionë euro nga Rezerva Financiare e Buxhetit të Kosovës për vitin 2018.

Këshilltari i kryeministrit për çështje ekonomike, Haki Shatri, ka thënë se shpenzimi i rezervave buxhetore nuk përbën rrezik për asnjë institucion e as për buxhetin.

Madje deklarimet e tilla ai ka quajtur fushatë tendencioze të cilat kanë për qëllim dëmtimin e Qeverisë.

“Është një rezervë që fillimisht është caktuar me buxhet të jetë 5 milionë euro. Ato rezerva shpenzohen në bazë të kërkesave që bëhen zyrës së kryeministrit, ministrisë së Financave, ministrive tjera, për nevoja të veçanta të jashtëzakonshme. Është një fond shumë modest në krahasim me kërkesat që mund të vijnë për një vit buxhetor, e që s’janë paraparë në pika të veçanta në buxhet”.

Sipas tij, nëse deri në fund të vitit shpenzohen 5 milionët e parashikuar, ministri i Financave në bazë të kompetencave i propozon Qeverisë ndarjen e mjeteve shtesë për të plotësuar shumën e nevojshme deri në fund të vitit.

“Këto absolutisht nuk e rrezikojnë buxhetin, është i paraparë vëllimi prej 5 milionë dhe në qoftë se eventualisht shpenzohen para 31 dhjetorit atëherë në bazë të rregullave për Ligjin në Menaxhimin e Financave Publike, ministri i Financave i gjen mundësit ku mund të kursehen prej nën shpenzimeve tjera edhe adekuat me nevojën, i propozon Qeverisë që të ndahen edhe një shumë e mjeteve për me plotësuar shumën e nevojshme deri në fund të vitit”.

Krahasuar me buxhetin prej 2 miliardësh, sipas Shatrit, rezervat janë shumë të vogla, raporton Ekonomia Online.

“Por këto janë aq pak në krahasim me 2 miliardë, d.m.th 5 milionë janë më pak se 0.02 për qind e buxhetit. Unë e kam parë një fushatë mediale që mu ka duk tendencioze me krijuar opinion gjoja që është rreziku buxheti me dinamikën e shpenzimeve të rezervave por është qesharake të mendohet që mund të rrezikohet buxheti”, tha ai.

Ai ka thënë që viteve të ardhshme duhet të rishikohet mundësia për rritjen e këtij buxheti, derisa ritheksoi se ka një disiplinë financiare dhe nuk rrezikohet asnjë projekt.

“Ndoshta është dashtë me vlerësuar këtë punën dhe me pas një shumë më të madhe sepse rastet e jashtëzakonshme që vinë brenda vitit janë më të mëdha. Shteti i ka rezervat materiale në rast të fatkeqësive natyrore, por përveç kësaj buxheti i Kosovës e ka një shumë mbi 200 milionë euro që rrinë rezervë për raste të veçanta dhe nuk preken në asnjë formë”.

“Disiplina financiare e shpenzimeve buxhetore e parasë publike është në nivelin e duhur. I garantoj qytetarët se me këtë disiplinë nuk kanë me qenë të cenueshëm as të rrezikuar asnjë projektet, as pagat as shpenzimet materiale për institucionet as transfere sociale”, tha Shatri./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit