Qeveria shqiptare miraton vendimin, dhuron 1 milion euro për Ukrainën

Mos i humb

Ashtu sikurse ia premtoi në konferencën e donatorëve, qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për t’i dhuruar 1 milion euro ndihmë Ukrainës.

V e n d i m i  i qeverisë shqiptare: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi:

Dhënien e ndihmës financiare humanitare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Ukrainës, në shumën 1 000 000 (një milion) euro.

Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, llogaria ekonomike 605, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 (një milion) eurosh. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.

Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Shumën që do t’i dhuronte e ka bërë me dije më herët kryeministri Edi Rama në Konferencën e donatorëve.

“Shqipëria është një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të OKB-së, ku jemi dhe bashkëpenmbajtës me SHBA-të për Ukrainën dhe në koordinim me vendet e tjera, po japim kontributin tonë në inicimin e takimeve dhe dokumentimin e ngjarjeve të luftës në ndihmë të Ukrainën.

Nga ana tjetër, në mënyrë bilaterale, kemi qenë ndër të parët që kemi kontribuar me municione për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Gjithashtu kemi rregulluar anën ligjore për të lejuar ukrainasit për të ardhur në vendin tonë për një periudhë kohe nëse dëshirojnë. Në këtë konferencë ne do të kontribuojmë me 1 mln euro, e di që kjo nuk do të ndryshoje fatin e luftës, apo rindërtimin e vendit, por ne jemi të nderuar që jemi këtu. Jam falenderues për të dy si kryeministrin polak ashtu dhe atë të Suedisë që na bëri pjesë të kësaj konference.

Ne do të bëjmë më të mirën për ukrainasit dhe Ukrainën me qëllim përfundimin e luftës dhe arritjen e  paqes sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rama në konferencën e donatorëve.

Që në fillim të luftimeve, Shqipëria ka qenë në mbështetje të Ukrainës, ndërsa më herët edhe presidenti i Ukrainës ka folur në parlamentin shqiptar, ku ndër të tjera falënderoi vendin tonë për mbështetjen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit