Qeveria vendos që shfrytëzimi 24 orësh i automjeteve zyrtare të bëhet vetëm me leje të veçantë

Mos i humb

Qeveria e Kosovës ka vendosur në mbledhjen e 30-të që të miratojë vendimin për “racionalizim të shpenzimeve gjatë përdorimit të veturave zyrtare dhe kthimin e të gjitha targave civile në targa zyrtare”.

Sipas njoftimit, vendimi shfuqizon të gjitha vendimet për aprovime të veçanta të përdorimit 24 orë të automjeteve zyrtare të nxjerra mbi bazën e nenit 3 paragrafi 3.3 të Udhëzimit Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës.

“Automjetet zyrtare mund të përdoren 24 orë në ditë nga zyrtarët tjerë të Qeverisë, vetëm në rastet e veçanta me autorizim të veçantë, ku për shkak të specifikave të punës është e domosdoshme përdorimi i automjetit zyrtar. Ky autorizim propozohet nga zyrtari kryesor administrativ dhe aprovohet nga ana e Kryeministrit apo Ministrit të ministrisë përkatëse. Autorizimi lëshohet për raste individuale në kohëzgjatje jo më shumë se 72 orë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, qeveria ka vendosur po ashtu që sipërfaqja prej 40 hektarësh, ku dikur ishin kazermat e KFOR-it gjerman, t’i kalojë në shfrytëzim shoqatës “ITP Prizren”, që do të zhvillojë Parkun Gjermano Kosovar të Trajnimit dhe Inovacionit.

“Parku do të punojë për zhvillimin ekonomik, ndërmarrësinë, arsimin dhe hulumtimin. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet shkencave të aplikuara, teknologjisë, bujqësisë, mjedisit, krijimtarisë e kulturës. Shoqatën “ITP Prizren” do ta bashkëdrejtojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ambasadës Gjermane. Qeveria në detyrë mbetet e përkushtuar në kursimin dhe shfrytëzimin sa më të mirë të parasë publike”, thuhet në njoftim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit