Qeverisë mund ti mbesin vetëm 11 ministri!

Mos i humb

Projektligji për Qeverinë është në fazën e fundit të procesit të draftimit para se të kaloj për miratim në kabinetin qeveritar. Ligji i cili në të ardhmen do të rregullojë punën e ekzekutivit, po kalohet me konsultime të brendshme të grupit punues.

Koordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri,  ka thënë se ky projektligj nuk prek vetëm numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrave, por e rregullon ekzekutivin e shtetit, raportet ndërmjet ministrive, nismat sociale dhe saktëson përgjegjësitë dhe detyrat e secilës ministri dhe Kryeministrisë.

Tahiri i cili është edhe kryesues i Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë, në një intervistë për Ekonomia Online, për herë të parë ka bërë publike draftin e këtij projektligji. Tri opsione janë për numrin e ministrive. Qeveri me 11, 15 dhe 17 ministri, por sipas Tahirit. Ai thotë se nëse nuk vendoset kufizimi i numrit të ministrive, projektligjin nuk e dërgon në Qeveri.

“Për herë të parë po e bëj publike, unë i kam tri opsione, opsioni me 11 ministri, opsioni që është me 15 ministri dhe opsioni me 17 ministri. Do të jetë vendim i Qeverisë cilin opsion e merr. Ka liderë serioz të partive opozitare që mendojnë numri nuk duhet të jetë i përfshirë në këtë ligj dhe unë nëse nuk e vendosi numrin, si kryetar i këtij komisioni nuk do ta qoj në Qeveri. Kur kemi hyrë në analizë të evidencës kemi parë që numri i ministrive ka degraduar, koalicion mas koalicioni, qeveri mas qeverie”, ka thënë kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri.

Sipas Tahirit, Ligji për Qeverinë do të prekë ministritë, departamentet dhe organogramin, ku do të ketë bashkim të tyre. Ndonëse nuk dihet se kur mund të hyjë në fuqi, koordinatori Tahiri thotë se procesi si i tillë do të kalojë në një organizim të plotë.

“Çështja e zbatimit të ligjit, duhet të rregullohet në këtë Ligj, është vendosur që nëntë muaj para se të hyjë në fuqi të zbatohet. ligji për Qeverinë e them me përgjegjësi të plotë do të prek ministritë të mëdha, do të prek departamente, do të prek organonagrame që nënkupton bashkim të ministrive, bashkim të departamenteve që janë në një ministri në ministri tjetër. Kjo nënkupton që i gjithë ky proces kërkon një organizim të plotë dhe si i tillë, tani nuk mund të them saktë se kur do të hyjë në fuqi por intenca është do të thotë me hy mundësisht në vitin e ardhshëm edhe pse koha po kalon”, ka bërë të ditur Tahiri.

Ndryshime do të pësojë edhe Zyra e Kryeministrit, kjo pasi sipas Tahirit, sepse ka një numër të madh të të punësuarve në Kryeministri.

“Kryeministria do të pësojë poashtu ndryshime, kryeministria do të kalojë nga Zyra e kryeministrit në kryeministri, pra do të jetë institucioni që merret kryesisht me politika zhvillimore, respektivisht në procesin e politik bërjes dhe vendimeve që janë në Qeveri. Në mënyrë që edhe këtu të zvogëlohet numri sepse kemi një numër të madh të të punësuarve në Zyrën e Kryeministrit, por që në fakt nuk përkojnë asgjë me çka bëjnë kryeministritë në vendet evropiane dhe perëndimore”, shtoi Tahiri.

Të gjitha këto ndryshime të ekzekutivit që përfshijë reformën shtetërore, sipas Tahirit, nuk do të kalojnë pa dhimbje. Por i rëndësishëm është fakti që ato kanë marrë bekimin e krerëve të koalicionit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit