Qytetarët kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë

Mos i humb

Një grup i qytetarëve kanë kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke vendosur thëngjill dhe pankarta me mbishkrimin “Asnjë cent ma shumë”, “Kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike” para ndërtesës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE).

Me këtë aksion ata thanë se dëshirojnë t’ia përkujtojnë ZRRE-së, qeverisë dhe kuvendit se ‘flenë’ mbi qymyr, duke thënë se është e papranueshme shtrenjtimi i rrymës.

Përfaqësuesi i qytetarëve, Arbër Rushiti, tha se përfitimi i energjisë elektrike me thëngjill është nga format më të lira të përfitimit të energjisë, por koston e ulët financiare ai tha se e paguajnë shtrenjtë me shëndet.

Rushiti: Rritja e çmimit të energjisë e papranueshme

“Ne qytetarët e Kosovës jemi viktima të ndotjes që na shkakton termocentrali unë dhe që do të na e shkaktojë çdo termocentral i së ardhmes. Kjo do të kishte kuptim sikur ne të paguanim më pak. Por, Qeveria jonë po planifikon që përveç kostove shëndetësore që do të na kushtojnë shtrenjtë, ta bëjë të shtrenjtë edhe rrymën në shtëpitë tona. Kjo është e papranueshme. Kjo nuk duhet të jetë e pranueshme për askënd. Ne duhet ti mbrojmë fëmijët tanë, vetën tonë, të ardhmen tonë si shoqëri nga politika të tilla të pamenduara mirë e të pa qarta as për vet ata që i propozojnë”, tha ai.

Rushiti tha se si qytetar duhet ta thonë fjalën e tyre kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e në të njëjtën kohë t’i kërkojnë institucioneve publike që ta mbrojnë interesin e qytetarëve dhe jo atë të kompanive private.

Ky grup i qytetarëve nesër do të organizojnë edhe një protestë nga ora 12, e cila do të fillojë tek objekti i KEDS-it për të vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, Granit Gashi, bëri të ditur se ata nuk kanë prapavijë partiake, por qëllim të vetëm kanë parandalimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ai pati një porosi edhe për KEDS-in që gjatë ditës së djeshme përmes një komunikate kishte deklaruar se po protestojnë në derë të gabuar, pasi që KEDS zbaton vetëm politikat e ZRRE-së dhe se nuk ka asnjë autoritet në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike.

Gashi: Kemi marrë leje nga komuna dhe policia për protestë

“Me shpreh indinjatë për etiketimet që kjo kompani private gjatë ditës së djeshme ka bërë në media duke aluduar se ne kemi qëllime dhe motive të dyshimta. Deshëm të ja rikujtojmë edhe një herë KEDS-it dhe gjithë atyre që nuk e kanë ndoshta të qartë që liria për të protestuar në hapësira publike është e garantuar me kushtetutë. Kështu që, pavarësisht objektit të cilin e zgjedhim ne besoj që jemi të lirë me e bë qaty. Pak a shumë e kemi marrë pëlqimin e komunës dhe të policisë me organizua këtë protestë dhe me të cilët normalisht po bashkëpunojmë ngushtë që protesta me qenë sa më paqësore dhe e mbar vajtur mirë”, tha Gashi.

Ky aksion dhe protesta e paralajmëruar për nesër vijnë pas paralajmërimeve për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike për 20 për qind./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit