Rama: Abazoviç, fenomen në politikën ballkanike

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, mishërimi i kredos së veprimit dhe fenomen në politikën ballkanike.

Në fjalën e tij në përurimin e librit “Kritika e Etikës Globale” të Abazoviç në Tiranë, Rama u shpreh se do të thoshte dy fjalë, të cilat janë jo domosdoshmërisht për librin, por për autorin.

Duke folur për Abazoviç, Rama tha se “më duhet ta them që unë jam shumë i privilegjuar, kështu duhet të ndihet çdonjëri në këtë kategori njerëzish që merren me politikë në rajonin tonë, që mund ta quaj veten mik i Dritan Abazoviç”.

“Është privilegj të jesh mik me një person, që është një fenomen në politikën ballkanike, një fenomen i veçantë dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër, jo sepse është doktor shkencash, jam i bindur që ka shumë doktorë në parlamentin shqiptar, por sepse falë veprimit ka arritur të guxojë në krijimin e një lëvizjeje politike, e cila është përtej etnike dhe ka synuar me sukses sepse i ka mbijetuar shekujve të paragjykimit dhe ndasive me njëri-tjetrit të krijojë një hapësirë ku pavarësisht përkatësisë etnike, njerëzit të bashkohen si qytetarë të të njëjtit vend”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “në këtë kontekst Dritani përputh përmes veprimit sensin e tij etik ndaj shoqërisë, problemeve të shoqërisë dhe të ardhmes, duke u ngritur me shumë guxim përmbi ndasitë dhe duke ndërtuar një urë, siç quhet edhe lëvizja, sepse për mua ajo nuk është një parti politike, por është një lëvizje, një bërthamë krijuese, e cila shpresoj shumë që t’i mbijetojë kohës dhe të bëhet shembull për të tjerë në të tjera territore, ku bashkëjetesa përmes etnive të ndryshme është përjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe është konsoliduar si bashkëjetesë mes të kundërtave, ndërkohë që Dritani e propozon bashkëjetesën si një bashkësi forcash komplomentare që krijojnë fuqinë”.

“Në mesin e librit ka një kapitull që titullohet “Qëllimet, mjetet dhe parimet e politikës globale” dhe këtu Dritanit tonë si një ndihmesë për të kapërcyer si një komunitet i tërë shekuj dhe për të pasur një qasje që e vë globalizmin në funksion të së mirës dhe jo të keqes ka shumë urtësi. dhe kjo ura e Dritanit i ka këmbët tek kjo urtësi që përpiqet të derdhet në enët bosh dhe të krijojë një nivel tjetër të veprimit dhe ndërveprimit mes njerëzve”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “a do t’ia dalë Dritani deri në fund? Kjo është për t’u parë, sepse forcat kundërvepruese ndaj urtësisë shtohen përditë nuk urtësohen. Është urtësia që zvogëlohet mbase duke u transformuar në një kapacitet tjetër. Ashtu sikundër nga ana tjetër forcat që ndërthuren në arenën e luftës së përditshme politike, janë shumë për të qenë lehtësisht të kapërcyeshme në raport me parimet dhe qëllimet dhe me idealet me të cilat njerëzit qëndrojnë në arenë”.

“Në fund të librit ka një tjetër citim, i cili është vazhdimi i asaj që sapo thashë. Prezumoj që mes këtyre 3 etapave libri ofron mundësi që këto dilema të arsyetohen me autorin dhe me autorë të tjerë që sillen nga autori këtu. Unë besoj që disa këtu mund edhe ta marrin përsipër mundimin për ta lexuar këtë libër, jam i bindur jo të gjithë. Por nëse disa do ta marrin mundimin shpresoj që ndonjëri të arrijë në fund të librit, e mbase ndër ata pak që do arrijnë në fund të librit, ndonjëri do të ketë kuptuar librin dhe pastaj do të jetë një bashkëudhëtar i filozofit që ka mbetur vetëm. Nuk është Dritani, Dritani nuk është vetëm, na ka ne, mbi të gjitha ka shpresën të cilën ai e mishëron më së miri një fenomen politik unikal në rajonin tonë që ka zgjedhur rrugën më të vështirë mbase për faktin që është i vetmi që ka zgjedhur rrugën më të vështirë ka edhe jo pak ndjekës e mbase do të ketë më shumë”, tha Rama.

“Uroj që të mbetesh garant i urës dhe ura të bëhet gjithmonë e më e gjerë dhe të rrezatojë edhe më elektoralisht sepse kjo është ajo që është më e pakta, por të rrezatojë rajonalisht si një pasqyrë ku të tjerët të gjejnë veten për të ndërtuar të tjera ura, të cilat mund të jenë lëvizje politike, sociale, akademike, por që të krijojnë mundësinë që njerëz që janë dënuar nga historia dhe paragjykimet e historisë të jenë të ndarë, të mund ta shikojnë njëri-tjetrin si njerëz, bashkëqytetarë, bashkëjetues, në një kohë kur ndasitë e së shkuarës mund të prodhojnë shumë argumente që bëjnë politikën e të sotmes, por që  janë themeli i shkatërrimit të së nesërmes”, u shpreh Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit