Rama: Arsimi parauniversitar në një fazë të re! Përveç mrrokllave që mbajnë në duar fëmijët duhet kenë kontakt me tokën

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama ka parë ambientet e kompleksit të ri në njësitë nr.9 dhe njësinë 11 në Tiranë.

Rama u shpreh se në shkollën 9-vjeçare ‘Vaçe Zela’ dhe shkollën e mesme ‘Kristo Frashëri’ falë investimeve cilësore do të mësojnë më shumë se rreth 1350 fëmijë.

“Në kompleksin e ri të dijes, ku bashkëjetojnë në një hapësirë fantastike arsimimi dhe edukimi, nëntëvjeçarja “Vaçe Zela” dhe e mesmja “Kristo Frashëri”, një investim cilësor për më shumë se 1350 fëmijë të Njësisë 9 dhe Njësisë 11 në Tiranë”, shprehet më tej Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama, gjatë kësaj vizite në këtë kompleks u shpreh se do të ketë investime të rëndësishme dhe se arsimi parauniversitar ndodhet në fazë të re.

Ai shtoi se programi i sportit është një tjetër projekt i rëndësishëm dhe se nga viti i ardhshëm do t’i dedikohet buxhet i veçantë.

Më tej shtoi se element i rëndësishëm në projektet për arsimin është edhe ndërtimi i parcelave bujqësore në shkolla.

“Puna këtu flet më shumë se të gjitha fjalët. Falënderoj Stefano Boerin i cili ka defektin serioz që është me Interin , por e kompenson duke bërë vepra interesante në arkitekturë. Stefano e ka shlyer me kohë mëkatin e interizmit. Sot është një ditë e bukur për arsimin në Tiranë sepse ky kompleks ka qenë një nga arsyet për tallje dhe sulme kritike duke na thënë se këto janë manipulime kompjuterike apo fantazira. Sot është një realitet edhe më i bukur se paraqitja e projektit.

Tani sfida është të mos mbetemi vetëm me kënaqësinë, por të shkojmë më shumë për t’i transformuar këto në hapësira që krijojnë mundësi të reja për nxënësit dhe mësuesit. Unë dua të them se gjithë prindërve dhe nxënësve se po hyjmë në një fazë të re me arsimin parauniversitar.

Kemi disa elementë të rinj që do të bëhen pjesë e punës sonë me shkollat nga viti i ardhshëm , duke filluar nga artet dhe zejet që do të krijojnë mundësi që mësuesit dhe nxënësit të formësojnë artet…Këtë do ta bëjmë në dy nivele, të përgjithshëm dhe në një nivel më të sofistikuar për ata që janë më të talentuar, duke krijuar pika ku ata të marrin mësim për talentin e tyre.

Ne sot duhet të garantojmë që mësimdhënia e informatikës të jetë e një cilësie shumë të lartë. E dimë që në shkolla mësimi i informatikës bëhet nga mësues që nuk janë drejtpërdrejtë për informatikë.

Po ashtu programi i sportit është një tjetër projekt dhe nga viti i ardhshëm do t’i dedikohet buxhet i veçantë duke u dhënë mundësi vajzave dhe djemve të organizohen dhe pastaj çdo shkollë të ketë skuadrat e veta dhe po ashtu të ketë edhe kampionate kombëtare.

Element i fundit që është pjesë e kësaj qasje është edhe ndërtimi i parcelave bujqësore në shkolla. Gjithë këto hapësira rreth e rrotull dhe brenda mureve të brendshëm të këtij kompleksi nuk mund të jenë thjesht hapësira me bar.

Një pjesë e tyre hapësirë për kultivimin e perimeve apo dhënien mundësi të nxënësve të kenë dijeni fillestare për tokën, për vlerat e saj dhe të krijojnë edhe modestisht sipërmarrjen bujqësore të shkollës me ato produkte që do të nxjerrin nga shkolla , jo për të bërë biznes por për të mësuar.

Do të ishte një laborator natyror fantastik dhe përveç jetesës së fëmijëve me mrrokllat në duar të kenë edhe kontakt me tokën”, tha më tej Rama .

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit