Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot akuzave të ngritura nga ish-kryeministri Sali Berisha, se familjarë të tij janë përfitues të fondeve publike,
Rama deklaroi se kurrë, asnjë nga familjarët e tij nuk kanë përfituar fonde publike.
“Nuk jam fare i prirur të komentoj apo t’u përgjigjem akuzave të dikujt që është subjekt i listës së zezë të SHBA e Britanisë së Madhe për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë dhe subjekt i drejtësisë në Shqipëri, për ato arsye që i dini dhe s’dua t’i komentoj”, u përgjigj Rama në një konferencë për shtyp.
Por, theksoi Rama, shmangia do të krijonte një keqkuptim të padrejtë në raport me personat e cituar që, sipas tij, janë shënjestër e një mënyre të ulët të të shfrytëzuarit të mundësisë për të folur në publik.
“Përgjigjja ime është shumë e thjeshtë: Kurrë! Në asnjë rast, asnjë anëtar i familjes sime nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike”, u shpreh Rama.
Kryeministri dha një përgjigje edhe për akuzat e bëra për shpenzimet për fluturime.
“Meqë më jepni këtë mundësi, dua ta mësojnë të gjithë, edhe ata të cilët mbase mund të impresionohen nga akuza absurde për miliona eurot e shpenzuara për fluturime, që unë dhe gjitha rastet që anëtarë të familjes sime udhëtojnë me mua, udhëtoj në dy mënyra. Në rastet e vizitave zyrtare apo të punës sime si kryeministër, me avionin përkatës. Në të gjitha rastet e tjera me avionët e linjave si gjithë shqiptarët, në ekonomik dhe me shpenzimet e mia. Dhe në të gjitha rastet kur ka ndodhur që të kem një vizitë pune dhe bashkëshortja ime të më shoqërojë, por jo si pjesë e vizitës së punës, biletën e saj, apo të cilitdo të fëmijëve që ka qenë me ne, e kemi paguar vetë, nuk e ka paguar shteti”, tha ai.
Kryeministri theksoi se e bënte këtë sqarim, pasi donte të sillte shembullin që, siç theksoi ai, nuk është i vetmi, të mënyrës se si e kuptonte ai dhe si kuptohet në familjen e tij, detyra e tij. Ai i kërkoi medias të verifikonte faktet.
“Po natyrisht, asnjë nga këto çështje, akuza apo hedhje përpjetë të llumit nuk shkon deri në fund kur mbetet midis asaj se çfarë thotë njëri dhe çfarë thotë tjetri. Duhet që ju t’i verifikoni këto që po them. Dhe nëse ka diçka që nuk shkon ta ekspozojë, ta bëjë me dije”, tha Rama.
Rama u shpreh se akuzat ishin përpjekje e dëshpëruar për të bërë simetri apo konkurrencë në pisllëk me familjen e tij.
“E them me shumë krenari, edhe pse duhet të ishte norma, jo ndonjë përjashtim që çdo përpjekje për të bërë simetri apo konkurrencë në pisllëk me familjen time është thjesht një përpjekje shumë e dëshpëruar dhe e neveritshme që s’ka asnjë shans të fitojë”, deklaroi Kryeministri.


