Rama: Bashkitë të rrisin angazhimin e strukturave operacionale në reagimin ndaj zjarreve

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga kryebashkiakët që të rrisin angazhimin e strukturave operacionale vendore në rastet e emergjencave civile.

Në një takim me kryetarët e bashkive, Rama u ndal te situata e zjarreve me të cilën u përball vendi gjatë muajve të verës.

Kryeministri vlerësoi se ka pasur përgjithësisht një rezistencë pozitive por edhe shfaqje dobësish që janë për t’u parë me sy kritik.

“Të gjitha prefekturat bëjnë një deklarim forcash në dispozicion. Nëse marrim prefekturën e Korçës dhe atë të Shkodrës, në prefekturën e Korçës janë deklaruar 1491 forca, ndërkohë që janë angazhuar 342 forca dhe ka kërkuar mbështetje nga FA, pa arritur të aktivizojë gati 70% të forcave të deklaruara aktive”, tha Rama.

Ndërkohë sipas tij, prefektura e Shkodrës që ka pasur disa emergjenca është me angazhimin me më të lartë të kapaciteteve vendore.

“Prefektura e Shkodrës ka përdorur më shumë kapacitete se ato të deklaruara dhe mbështetje nga FA ka kërkuar vetëm në pak raste specifike. Ajo që është shumë domethënëse është se rezultati në prefekturën e Korçës ku FA është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe aktivizimi i forcave të brendshme të deklaruara në komunitet ka qenë i dobët, pavarësisht shpenzimit të madh të energjive, rezultatet kanë qenë më të dobëta se sa në Shkodër”, shtoi Rama.

Kjo, sipas tij, tregon se duhet strukturim, koordinim dhe trajnim i vazhdueshëm.

“Duhen bërë stërvitje. Nuk mundet dot ne të mbajmë Shqipërinë pa zjarre, por duhet të luftojmë për çdo rrënjë peme që mund të shpëtohet. Çfarë nuk mund të shpëtohet për shkak të koordinimit është dështim që ne nuk kemi si ta justifikojmë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes që të ndërtohet një plan pune për të konverguar të gjithë energjitë e nevojshme mes emergjencave kombëtare dhe emergjencave lokale, si dhe fillimin e një kalendarizimi të trajnimeve dhe aftësimit, duke krijuar një sistem komunikimi efikas që të gjithë të dinë kush bën çfarë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit