Kryeministri Edi Rama, mori pjesë sot në prezantimin e programit kombëtar për përgatitjen e biznesit për integrimin në Bashkimin Europian, një nismë e cila synon mbështetjen dhe mundësitë që programi sjell për përgatitjen e sipërmarrjeve shqiptare drejt tregut unik europian.
Sipas Ramës, programi synon të informojë rreth 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin, përmes një procesi të drejtpërdrejtë komunikimi. Gjithashtu, tha Rama, do të krijohet një platformë kombëtare për mbështetjen e biznesit, si dhe një rrjet kombëtar ekspertësh dhe konsulentësh, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
“Një tjetër aspekt në këtë rrugëtim është aspekti i rritjes dhe fuqizimit të sistemit të start up-eve në Shqipëri. Kemi dyfishuar para pak ditësh financimin për të rejat dhe të rinjtë që kanë aplikuar në programin start-up Albania. Aplikimet kaluan mbi 1200 dhe ne dyfishuam financimin. Ju kemi thënë atyre të rinjve dhe të rejave që ne do të rrisim financimin në mënyrë proporcionale me rritjen e aplikimeve. E tha ministrja hartimi i strategjisë industriale të Republikës së Shqipërisë që do të orientojë zhvillimin në prioritete me potencial të lartë konkurrueshmërie dhe për produktivitetin më të lartë si dhe hartimi i strategjisë kombëtare të eksporteve për të mbështetur pikërisht ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve tona janë dy qasje ndaj dy komponentëve shumë të rëndësishëm të këtij momenti”, u shpreh Rama.
“Çfarë synojmë ne me këtë program që po paraqesim në aspektin e masës që programi do të prekë. Duam të informojmë 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin, një për një. Duam të ngremë bashkërisht një platformë kombëtare të mbështetjes së biznesit dhe të krijojmë rrjetin kombëtare të ekspertëve dhe konsulencës dhe për këtë përsëri do të ndihmojë UNDP”, tha Rama.
Rama tha gjithashtu se do të organizohen një cikël prej qindrash trajnimesh sektoriale. Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së universiteteve në këtë proces, duke nënvizuar se përgatitja për integrimin në tregun europian kërkon dije, ekspertizë dhe informim të vazhdueshëm
“Duam që të rrisim standardizimin dhe certifikimin sipas standardeve të BE-së dhe në fund konkurrueshmërinë. Ka një komponent të domosdoshëm që do të përfshihet në këtë proces që janë universitetet. Kemi nevojë për dije. Ky proces ka nevojë për dije dhe mbi të gjitha të gjithë së bashku kemi nevojë për informim për të kuptuar ekzaktësisht se çfarë vjen me përfshirjen në tregun e madh të përbashkët evropian”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, procesi i integrimit sjell sfida të mëdha, por edhe mundësi të konsiderueshme për biznesin shqiptar. Për këtë arsye, qeveria synon të minimizojë rreziqet dhe të pajisë sipërmarrjet me të gjitha mjetet e nevojshme për të përballuar konkurrencën në tregun europian.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është me fjalë shumë të thjeshta është Shqipëria bëhet sa BE dhe BE-ja bëhet sa Shqipëria në sensin që nuk je më një sipërmarrës brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë por je një sipërmarrës brenda kufijve të BE. Vlejnë njësoj rregullat dhe standardet e BE-së edhe pse mund të jenë më imponuese dhe kërkuese se ato që ke sot por vjen për ty njësoj edhe shanset në hapësirën e lirisë konkurruese në BE. Është një sfidë e madhe që vjen me mundësi të mëdha dhe si çdo sfidë e madhe ka dhe rreziqe të mëdha. Ne duam t’i dalim përpara sa më shumë rreziqeve për kompanitë dhe ndërkohë duhet t’u japim kompanive sa më shumë elementë në dispozicion për të fituar sfidën”, tha Rama.
Rama bëri me dije gjithashtu se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të krijojë një uebsajt të dedikuar për këtë program, ku bizneset do të informohen në kohë reale mbi zhvillimet, si dhe do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje, kërkesa dhe ankesa gjatë gjithë procesit.
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të përgatisë një uebsajt të dedikuar për të gjithë këtë program dhe për të mbajtur të informuar të gjitha sipërmarrjet në kohë reale duke njëkohësisht mbajtur të hapur një dritare për të gjitha interesimet pyetjet kërkesat ankesat e me radhë”, tha Rama.


