Rama e sulmoi, kundërpërgjigjet Albin Kurti: Askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin

Mos i humb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për herë të parë pas sulmit të kryeministrit Edi Rama, në lidhje me çështjen e “Ballkanit të hapur”.

Nëpërmjet një mesazhi që u lexua në aktivitetin shkencor, ‘Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës’, Kurti thekson se shqiptarët janë më të fortë vetëm kur lidhen fort me njëri-tjetrin dhe vetëm pas kësaj mund ta hapen me fqinjët pa u rrezikuar.

‘Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar’, ka shkruar në mesazhin e tij Kurti- njofton Zyra e Kryeministrit.

Por edhe pse nuk përmend emra kryeministri i Kosovës duket se i është përgjigjur letrës sulmuese dhe denigruese të dy ditëve më parë, të kryeministrit të Shqipërisë. Ai shprehet hapur, se asnjë politikan shqiptar nuk duhet të bashkëpunojë me krimin.

Kombi shqiptar ka dy shtete, dy qeveri dhe dy kryeministra dhe sipas raporteve ndërkombëtare dhe mediave të shumta, akuzat për lidhje me krimin e organizuar janë drejtuar më së shumti ndaj Edi Ramës dhe qeverisjes së tij 8 vjeçare.

‘Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin’, shkruan Kurti në mesazhin e tij.

Kreu i Qeverisë së Kosovës thekson gjithashtu, se partnerët po ndihmojnë në luftën kundër ndikimeve negative ruso-kineze në rajon.

‘Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik’, thuhet në fjalën e kryeministrit të Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit