TIRANË:Kryeministri Edi Rama si dhe kryeministri i Bavarisë, Markus Söder nënshkruan sot në Tiranë një sërë marrëveshjesh, në fushën e administratës publike, atë të zhvillimit të biznesit, tregtisë dhe industrisë, si dhe në fushën e drejtësisë dhe policisë, energjisë, infrastrukturës dhe teknologjisë, turizmit, bujqësisë, mjedisit dhe shëndetësisë, rinisë, arsimit, shkencës dhe kulturës.
Bashkëpunimi konsiston në ndarjen e praktikave më të mira, në asistencë teknike, shkëmbim ekspertësh, studiuesish dhe specialistësh, organizimin e ekspozitave, seminareve dhe konferencave, si dhe mbështetjen për krijimin ose përmirësimin e qendrave kërkimore.
Marrëveshjet e arritura sot do të shërbejnë si ura të reja bashkëpunimi mes dy vendeve, në vazhdën e një tradite të themeluar prej atit të Bavarisë moderne Franz Josef Strauss.
Kryeministri Rama në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjeve vlerësoi rolin e Shtetit të Lirë të Bavarisë, sidomos në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.


