Rama: Njerzillëku, pika e parë e programit qeverisës të kryebashkiakëve

Mos i humb

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi sot turin e falënderimeve për rezultatin e zgjedhjeve vendore, me një takim me banorë të Korçës.

Rama tha se, rezultati i 14 majit në qarkun e Korçës ishte i jashtëzakonshëm, por gjithsesi PS nuk do t’ia dilte dot pa mbështetjen e shqiptarëve.

“I jashtëzakonshëm ishte rezultati në të gjithë Shqipërinë, për këtë arsye edhe unë jam këtu, po shkoj në të gjitha qarqet, sepse besoj shumë që fjalët nuk mjaftojnë, as kjo nuk mjafton, por së paku duhet që t’ju shikoj të gjithëve në sy dhe t’ju them: Shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje! Sepse pa diskutim që të gjithë kanë meritat e tyre, por askush, nga kudo që shikoni nuk ngjitet dot në tribunë nëse nuk jeni ju, nëse nuk është mbështetja juaj dhe shpirti juaj i sakrificës”, tha Rama.

Rama falënderoi të gjithë patronazhistët, aktivistët dhe strukturat organizative, që siç tha ai, “puna e palodhur e tyre reflektohet tek rezultati”.

“Pavarësisht se njerëzit na votuan, njerëzit janë të pakënaqur me ne, kjo është e vërteta. Votëbesimi i tyre tregon se ata kanë pritshmëri të larta ndaj nesh dhe besojnë se vetëm ne mund t’i bëjmë ato gjëra, për të cilat kanë nevojë. Kjo është e jashtëzakonshme si sfidë, se na kanë hedhur një dorashkë, duke thënë urdhëro, merreni, dhe tani na çoni vetëm përpara. Do të ishte fatale për ne nëse do të biem në vetëkënaqësi dhe do të mendojmë se jemi të pazëvendësueshëm”, u shpreh Rama.

Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se, “kjo votë ka lidhje se njerëzit duan të mendojnë dhe duan nga ne që të mendojmë gjithmonë e më shumë për ata si qytetarë dhe jo ata të mendojnë si tifozë partish dhe ne t’i ndajmë në të tanët, majtas dhe djathtas”.

Rama falënderoi edhe ata që nuk dolën në votime.

“Ua kemi kërkuar këtë gjë. Duke bërë atë që kanë bërë ata meritojnë respekt, sepse janë sjellë si patriotë duke braktisur hijet e së shkuarës që u shfaqën vetëm për të na kthyer mbrapa. Në kushtet e kësaj pritshmërie të madhe, çfarë bëhet, si kthehet ky borxh? – tha ai, teksa nënvizoi se, “ka një gjë që mund të përmbushet 100 %, është vetëm në dorën tonë këtu”.

“Kjo është njerzillëku me të gjithë anëtarët e një komuniteti, me çdo qytetar të këtij vendi, me çdo familje që ka nevojë për këtë shtet, njerzillëku me çdo sipërmarrje, çdo grup interesi, që është dhe duhet të jetë për mua pika e parë e programit qeverisës të çdo kryetari bashkie të dalë nga vota e 14 majit. Në këtë pikë kemi deficite kudo, në nivelin qendror, vendor. Këtë ua kërkoj me forcë të gjithëve që ta kuptojnë dhe ta vënë në jetë, të krijojnë mekanizma që të gjithë njerëzit të ndihen të dëgjuar, të respektuar. Pastaj zgjidhet apo jo një hall, apo problem, tjetër kjo, varet nga mundësitë. Pavarësisht nëse nuk ma zgjidh hallin, të paktën ma qaj, thotë populli ynë”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “ju jeni zemra e kësaj fitoreje dhe ne duhet t’jua kthejmë besimin në punë, në transformimin e ekonomisë, ku ka të mira për të gjithë, një ekonomi ku rriten investimet dhe adresohen më shumë nevojat”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit