Rama: PS, e vetmja që mund të fitojë betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot Partia Socialiste është e vetmja që ka ambicien, kurajon dhe aftësinë për të bërë këtë vend një shtet normal europian dhe për të ngritur flamurin e Skënderbeut e Ismail Qemalit në oborrin e BE-së.

Në takimin e mbajtur sot në Kryesinë e Kuvendit, ku iu adresua grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar për qeverisjen, korrupsionin dhe nga ku foli për nismën e re kombëtare për “Shqipërinë 2030”, Rama tha se askush s’duhet të ketë asnjë iluzion se gjendet dot në këtë vend një fuqi tjetër nga fuqia e PS-së që të ketë aftësinë, kurajon, fuqinë, por tanimë dhe eksperiencën që të udhëheqë e fitojë dot betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, e cila në thelbin e saj është një luftë e madhe për triumfin e kulturës së shtetit mbi traditën e antishtetit.

“Këtë të vërtetë nuk duhet ta harrojë asnjëherë, as një ditë të vetme, në radhë të parë asnjë drejtues, deputet, ministër, kryetar bashkie i PS-së, dhe asnjë anëtar i kësaj partie. Jo për t’u mburrur, në asnjë mënyrë, por për të mos e humbur, në asnjë rast, për asnjë arsye vetëdijen për përgjegjësinë dhe përgjegjësinë për rolin tonë udhëheqës, vendimtar, absolutisht të pazëvendësueshëm sot për sot, dhe shumë kohë akoma, në këtë luftë për Shqipërinë”, tha ai.

Sot që flasim, u shpreh Rama, në radhë të parë, të gjithë ju dhe gjithë anëtarët e kësaj familjeje politike, s’duhet ta heqin nga mendje.

“Ndërkohë që të gjithë duhet ta dëgjojnë se pas 113 vitesh pavarësi në Shqipëri, pas 33 vitesh pluralizëm politik, krijimit të 333 partive në këtë vend, kjo parti, është e vetmja në hapësirën e armikut historik të drejtësisë në Shqipëri, që pushteti politik që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush më parë. Sepse ne kemi zgjedhur të luftojmë për pavarësiminë dhe forcimin e dretësisë, duke u vetvendosur jo vetëm në anën e drejtësisë, përmes ushtrimit të pushtetit tonë si shumicë ligjvënëse, por edhe në dispozicion të drejtësisë, përmes tërheqjes sonë të plotë nga çdo kontroll politik i saj. Ne jemi e para parti politike në historinë e Shqipërisë, që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur nga drejtësia duke vrarë drejtësinë”, deklaroi kryeministri.

Ne, theksoi ai, jemi vetëçarmatosur dhe falë intuitës së pakonkurrueshme politike të popullit shqiptar, që e ka kuptuar që përtej kusureve jo të vogla, kjo parti është e vetmja që ka kurajon dhe aftësinë për të bërë këtë vend një shtet normal europian dhe për të ngritur flamurin e Skënderbeut në oborrin e BE-së, kemi edhe forcën udhëheqëse që të realizojmë këtë ëndërr të vjetër shqiptare.

“Kemi në dorë shumicën e Parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv, pa qenë të detyruar ti themi dajë asnjë derri, për të qeverisur dhe për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt majës, ku e meriton amaneti i rilindasve tanë dhe e drejta e fëmijëve tanë. O e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, duke i vënë shtetit që po ndërtojmë të gjithë pushtetin e PS-së në dispozicion, bashkë me gatishmërinë për të marrë çdo kosto, ose kjo dallga e sapongritur e drejtësisë së re kundër abuzuesve të pushtetit politik e funksioneve publike, do të thyhet nëpër shkëmbinjtë ende të kudondodhur të kulturës dhe të politikës së vjetër antishtet”, nënvizoi kryeministri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit