Rama: Rrisim më tej pagat e personave me aftësi digjitale dhe agronomëve

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama informoi sot se, pagat e personave që kanë aftësi të veçanta digjitale, por edhe të agronomëve do të rriten përtej piramidës së pagave të zakonshme.

Në prezantimin e strategjisë së zhvillimit të Tiranës, Rama u shpreh se, bëhet fjalë për detyra të caktuara, ndër të cilat mbrojtja kibernetike e vendit është kryesorja në kushtet kur sulmet kibernetike janë praktikisht trendi i ri i luftës mes shteteve dhe i luftës së shteteve me krimin e organizuar ndërkombëtar.

“Po si mundet ne ta kemi të mbrojtur vendin tonë dhe si mundet ne t’i kemi të mbrojtura sistemet tona dhe si mund ta mbrojmë ne arritjen e jashtëzakonshme të kalimit të të gjitha shërbimeve me letër, në shërbime digjitale dhe të heqjes së popullit nga kthetrat e zyrtarëve dhe sporteleve në rast se ne nuk kemi kapacitetet dhe kapacitetet më të larta në aspektin e aftësive në këtë fushë?”, u shpreh Rama.

Ndaj, ai tha se, “atyre që kanë këto aftësi do t’u ofrohen paga, të cilat janë paga që janë përtej piramidës së pagave të zakonshme”.

“Por kjo vlen për ata që kanë aftësi të veçanta digjitale, por vlen edhe për agronomët, në kushtet kur ne na duhet një rritje e mëtejshme e bujqësisë, e prodhimit, e eksporteve, në kushtet kur ne po rritemi në mënyrë eksponenciale, po rritemi më shumë se askush tjetër në gjithë pellgun ku jetojmë për sa i përket turizmit. Natyrisht rritja jonë më shumë se askush tjetër lidhet edhe faktin se ne vijmë nga më larg, vijmë nga më mbrapa. Atëherë detyrimisht që kjo industri që është një industri kyçe për të nesërmen, është industri kyçe për rritjen e mëtejshme të pagave, është një industri kyçe për rritjen e mirëqenies duhet të mbështetet nga një prodhim bujqësor, nga një prodhim blegtoral, nga një agropërpunim që duhet të jetë në lartësinë e kësaj rritjeje dhe natyrisht që kjo kërkon shumë gjëra, por kërkon në radhë të parë njerëz që dinë shumë”, tha Rama.

Sipas tij, “sot kemi një moment të rrezikshëm që mund të humbasim dijen në këtë drejtim sepse mund të humbasim agronomët me përvojë”.

“Ashtu sikundër mund të humbasim agronomët e së nesërmes për shkak se ata, të cilët duhet të marrin stafetën preferojnë të shkojnë në drejtime të tjera, preferojnë të bëjnë shkolla të tjera sepse mendojnë që me agronomi dhe me aftësitë që merren në Universitetin Bujqësor, nuk kanë një të ardhme siç do ta dëshironin. E midis të parëve dhe të dytëve, pra midis atyre me aftësi digjitale të spikatura dhe agronomëve ka një sërë profesionesh të tjera të cilat janë të domosdoshme, sektor për sektor. Kështu që, me këtë ne do t’u themi të gjithë më të mirëve që ju nuk keni pse mendoni dy herë se ku e keni vendin, se mjafton që ju t’ua ofroni këtij vendi aftësitë më të mira që i duhen dhe për ju ka një vend dhe për ju ka një pagë”, shtoi ai.

Rama theksoi se, “qëllimi fundor nuk është që ne të krijojmë dy shtresa”.

“Një shtresë të atyre, që janë më pak, por për shkak të dijeve dhe të aftësive paguhen si në Evropë dhe një shtresë tjetër të atyre që mbulojnë gjithë punët e tjera, por paguhen shumë më pak. Ne duam që t’i sjellim të gjitha këto në një piramidë shtetërore të pagave, e cila të jetë klasike, por që të ndodhi e dyta duhet të fuqizojmë të parën në mënyrë që, duke bashkuar nga njëra anë njerëzit me aftësi në profesione të veçanta, nga ana tjetër sektorin privat dhe nga ana tjetër gjithë investimet e nevojshme dhe gjithë mbështetjen e nevojshme në sektorët prioritar dhe natyrisht Bashkia e Tiranës është sektor prioritar i veçantë, se të kesh qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të shohësh këtë prezantim e ke të pamundur të mos thuash me vete, paç fatin e lali Erit”, shtoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit