Rama u drejtohet shqiptarëve: Nuk kam rënë nga qielli, por më shihni në sy

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të gjatë sot në vigjilje të ndërrimit të viteve duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë drejtpërdrejt për të folur për të gjitha shqetësimet e problemet e këtij viti dhe projektet e vitit të ardhshëm. Rama u ka kërkuar shqiptarëve ta shohin në sy teksa ka folur për veten e tij, duke pranuar modestisht të metat dhe deklaruar se “nuk ka gabuar asnjëherë qëllimisht”.

“Duke qenë se i erdhi radha edhe prioritetit të fundit të vitit 2020, kërkoj të më shikoni në sy: dy fjalë për veten time. Nuk jam i rënë nga qielli, nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta, përkundrazi kam më shumë se ju, ndoshta sepse jam i gjatë. Nuk më ka thënë mendja se jam i pagabueshëm, probabilitetin e gabimit e kam më të madh se sa ju por asnjëherë nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm për të përfituar”– tha Rama.

Në mesazhin e tij të gjatë, kreu i qeverisë tentoi të shfaqej ndryshe, si një kryeministër me dorë në zemër duke u ofruar shqiptarëve “kulaçin” edhe pse në 364 ditët e tjera nuk ka munguar “kërbaçi”.

“Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua e di se nuk këmbëngul në një drejtim apo opinion të gabuar. I dëgjoj argumentet, kur janë bindëse tërhiqem, kam kërkuar dhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar, nuk më kujtohet se e ka bërë ndonjë paraardhësi im por nuk është ky metri me të cilin mat veten” – tha Rama që më pas foli edhe për premtimet e pambajtura.

“Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë por në asnjë rast të vetëm nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet, për të kaluar radhën, kurrë. E para sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota por jam i racës së atyre që në politikë i ka futur ëndrra për ndryshim.

Pse do duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë kur me forcën politike që udhëheq kundërshtarët mund t’i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa për të jetuar. Këtë detyrë që kam e jetoj si privilegjin më të madh që mund t’i jepet njeriut të udhëheq popullin e vet në rrugën e së ardhmes”, – deklaroi kryeministri Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit