Në lansimin e Strategjisë Sektoriale 2018-2022 dhe lansimin e Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve, dokumente këto të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryeministri Ramush Haradinaj tha se qasja e të rinjve në tregun e punës është një prej vështirësive të cilën Kosova duhet zgjidhur. Gjithashtu ai tha që unë si kryetar qeveri e ndjej këtë detyrë dhe duhet punuar drejt këtij zhvillimi.
“Një ndër detyrat më të vështira të Kosovës, është kyçja e të rinjve në tregun e punës, kyçja e kategorive të margjinalizuara. Nuk do të jetë proces i lehtë, por unë si kryeministër e ndjejë se e kam këtë detyrë dhe kuptoj se sado e vështirë që është duhet të fillojmë së bashku me partnerët tanë të gjejmë zgjidhje”, tha kryeministri Haradinaj.
Vizioni i kësaj strategjie është përmirësimi i politikave dhe shërbimeve publike në fushën e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, si parakusht për zhvillimin gjithëpërfshirës dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj bëri thirrje që askush në çfarëdo situate të mos e mohoj kualitetin, të mos e mohoj ekspertizën dhe t’i lejojmë të rinjtë tanë që kanë kualitet ta shohin perspektivën, mundësinë e vet dhe ta kenë një vend pune.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se këto dy dokumente janë pjesë e spektrit të dokumenteve strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe pjesë e Agjendës Evropiane, që si bosht orientimi kanë zhvillimin e vendit, punësimin dhe aftësimin profesional dhe ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve në përgjithësi.
“Ne tashmë e dimë, se papunësia është një nga problemet më të mëdha të vendit tonë dhe për këtë në Strategjinë Sektoriale të MPMS dhe Planit të Punësimit të të rinjve, punësimit i është kushtuar një vëmendje e posaçme, posaçërisht punësimit të të rinjve dhe grupeve të cenueshme”, tha ministri Reçica.
Me një fjalë të pranishmëve iu drejtuar edhe përfaqësuesi i Zyrë së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ndërsa prezantimin e përmbledhur të Strategjisë Sektoriale dhe Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve e bëri drejtori i Departamentit për Koordinimi të Politikave dhe Integrimit Evropian, Lulzim Karaxha.
Udhëheqësi i zyrës së Bashkimit Europian Rikardo Serri, tha që ky plan është prioritet i qartë jo vetëm për vendin tuaj po edhe për neve. Gjithashtu ai tha që BE është donatori kryesor, por që tani është me rëndësi që Kosova të merret me buxhetimin e këtij plani.
“Ky plan është prioritet i qartë jo vetem për vendin tuaj por edhe për neve. Janë disa prioritet që e ndërlidhin Kosovën dhe Bashkimin Europian. BE është donatori kryesor që në të kaluarën por edhe tani e kemi mbështetur financiarisht, por tani është me rëndësi që Kosova të merret me buxhetimin”, tha Serri
Kryeministri Haradinaj tha se është i kënaqur me fillimin e zbatimit konkret të strategjisë së paraparë për punësimin e të rinjve, duke identifikuar veprimet dhe duke i kalkuluar ato.
Për realizimin e synimeve politike të Qeverisë së Kosovës, Strategjia për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave përfshinë këto objektiva të cilat mbulojnë fushën e përgjegjësisë së Ministrisë.
- Ulja e inaktivitetit, rritja e punësimit, zhvillimi i shkathtësive në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe administrimi më i mirë i tregut të punës.
- Përmirësimi i kushteve të punës dhe zvogëlimi i punësimit informal përmes fuqizimit të mekanizmave të mbikqyrjes dhe forcimit të dialogut social.
- Rritja e mirëqenies sociale përmes zgjerimit dhe ngritjes së cilesisë së mbrojtjes dhe shërbimeve sociale e familjare, me fokus të veçantë në grupet në nevojë dhe barazinë gjinore.
- Realizimi i të drejtave në përfitime për pensionistët dhe kategoritë e luftës përmes zhvillimit të sistemit të qëndrueshëm pensional, harmonizinit të kornizes ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale, njerëzore dhe teknologjike./Kosova Post/


