
Agnes Callamard, Raportuesja Speciale për ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka mbërritur në Turqi në kuadër të hetimit për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ku dhe ka kryer inspektime në konsullatën saudite.
Callamard bashkë me një delegacion ka mbërritur në konsullatën e Arabisë Saudite në rajonin Levent në Stamboll për të përgatitur raportin në lidhje me hetimet rreth vrasjes më 2 tetor 2018 në konsullatë të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Pasi ka shëtitur zonën përreth konsullatës dhe pasi ka marrë informacione, Callamard duke vënë në dukje se kanë njoftuar vonë zyrtarët sauditë për kryerjen e inspektimeve në konsullatë, për gazetarët tha se “Duhet t’i japim pak kohë atyre që të vlerësojnë kërkesën tonë. Kërkojmë leje nga autoritetet që të hyjmë brenda”.
Agnes Callamard, ka shtuar më tej se raportin që do të përgatisin për vrasjen Khashoggit do ta paraqesin në seancën që do të mbahet në muajin qershor në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Në këtë vizitë Callamard është e shoqëruar nga avokatja britanike Helena Kennedy dhe Prof. Dr. Duarte Nuno Vieira, ish-kryetar i Akademisë së Mjekësisë Ligjore dhe dekan në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Coimbra.
Trupi ende nuk është gjetur Gazetari saudit, Jamal Khashoggi, u masakrua në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll ku ai kishte hyrë për procedura martese më 2 tetor 2018.
Vrasja brenda konsullatës saudite në Stamboll e Jamal Khashogit, gazetarit të Washington Post dhe një prej gazetarëve më aktiv në Lindjen e Mesme, si dhe përjetimet pas kësaj vrasjeje ruajnë ende vendin e tyre në opinionin publik të Turqisë dhe atij botëror.
Gjatë periudhës pas vrasjes janë zbuluar informacione në lidhje me kohën, vendin dhe mënyrën e vrasjes së Khashoggit, por ende nuk është qartësuar çështja se ku ndodhet trupi i tij.


