Regjimi i Asadit ka përdorur 214 herë armë kimike

Mos i humb

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se regjimi i Asadit ka përdorur 214 herë armë kimike që nga fillimi i luftës civile dhe 11 herë vetëm pas masakrës në Han Shejhun, ku regjimi vrau të paktën 100 civilë me armë kimike.

Këto të dhëna SNHR i shpalosi përmes një raporti të publikuar me rastin e njëvjetorit të sulmit kimik në Han Shejhun të Idlibit.

Sipas raportit, regjimi deri më sot ka kryer 99 sulme kimike në Damask dhe rrethinë, 45 në Idlib, 29 në Hama, 27 në Halep, shtatë në Homs, katër në Dera dhe tre në Dejrizor.

“Nuk është hasur në ndonjë sulm kimik të Rusisë, e cila intervenoi në Siri në vitin 2015. Megjithatë, kemi parë se Rusia ka mbështetur disa sulme me armë kimike të regjimit. Këtë mbështetje e kemi dëshmuar në sulmin e 4 prillit në Han Shejhun dhe atë të 4 shkurtit në Serakib”, thuhet në raport.

Në pjesën e rekomandimeve, rrjeti sirian bën thirrje për qëndrim të ashpër dhe serioz ndaj përdorimit të armëve kimike nga ana e regjimit, ndëshkimin e sulmeve dhe shpërndarjen e maskave të mjaftueshme për popullatën në zonat e opozitarëve si masë ndaj sulmeve të mundshme.

Përdorimi i armëve kimike nga ana e regjimit të Asadit duhej të përfundonte më 19 gusht të vitit 2014, meqenëse pas vrasjes së 1.400 civilëve me armë kimike në Gutën Lindore më 21 gusht të vitit 2013, ai ishte përfshirë në procesin e asgjësimit të rezervave të marrë përsipër nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Hapjen e këtij procesi e kishte mundësuar Rusia për të penguar intervenimin e paralajmëruar nga SHBA-të. Megjithatë, pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike njoftoi se ka përfunduar asgjësimi i të gjithë rezervave, regjimi i Asadit, krahas vrasjeve, vazhdoi edhe sulmet kimike për frikësimin dhe dëbimin e popullatës.

Misioni i përbashkët i OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, i njohur si Mekanizmi i Përbashkët Hetimor (JIM), më 27 tetor të vitit 2017 i paraqiti KS-OKB-së një raport, sipas të cilit regjimi mban përgjegjësinë për masakrën me armë kimike në Han Shejhun më 4 prill të vitit 2017, në të cilin jetën humbën të paktën 100 civilë.

Vendimi i JIM-it nuk është i mjaftueshëm për gjykimin e përgjegjësve të masakrës para Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP). Meqenëse Siria nuk është anëtare e GJNP-së, regjimi duhet të dërgohet në GJNP nga KS-OKB, në të cilën deri më tani nuk është hedhur ndonjë hap. Ndërkohë, regjimi i Asadit vazhdon të përdorë armët kimike.

Së fundmi, regjimi i Asadit ndërmori sulm kimik me përmbajtje klori më 19 mars në qytetin Duma të rajonit të bllokuar të Gutës Lindore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit