RËNDËSIA E EKZISTIMIT TË PROJEKTIT NË JETËN E NJERIUT

Mos i humb

Selefi (gjeneratat e para të mira) nuk e kishte për qejfi njeriun indiferent, i cili e kalonte jetën e tij pa qëllim, pa synim dhe pa punë. Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Unë ndiej neveri kur e shoh një burrë të paangazhuar, i cili nuk angazhohet me punët e dynjasë dhe as me punët e ahiretit.”[1] Kjo urtësi te njerëzit është e njohur si thënie e Omer ibën Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, me fjalët: “Urrej që ta shoh njeriun të jetë indiferent, i cili nuk merret me punët e dynjasë dhe as me punët e ahiretit.”[2]

Imam Es-Sefarinij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Indiferent dhe apatik për qëllim këtu është moskokëçarës, të cilit nuk i intereson që të punojë as për punët e dynjasë dhe as për punët e ahiretit, ashtu siç tha në librin ‘El-Kamus’: ‘Ecën indiferent; do të thotë vjen dhe shkon për kot, pa pasur ndonjë nevojë dhe punë’.”[3]

Andaj, njeri indiferent këtu për qëllim është ai i cili nuk kërkon ndonjë dijeni dhe as që merr nga hisja e saj, as që e përvetëson ndonjë zanat e të përfitojë nga zanati i tij, as që angazhohet me ibadet dhe me të ta pastrojë shpirtin dhe zemrën e tij, as që lodhet me punë të dynjasë e ta ruajë veten dhe nderin e familjes së tij!

Nuk e çan kokën për gjërat, nuk i intereson gjë, i kalon koha, vitet e mundësitë pa e lodhur trurin se si t’i shfrytëzojë ato, apo çfarë të bëjë me to!

Çdo mysliman patjetër duhet të posedojë një ose më shumë projekte në jetë, sepse njeriu është përgjegjës për periudhën e rinisë së tij se si atë e shfrytëzoi në jetë. Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nuk do të lëvizë këmba e asnjë birit të Ademit në Ditën e Kiametit para Zotit tij, derisa të mos pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se prej ku e fitoi dhe ku e harxhoi dhe se çfarë veproi me atë që e mësoi.”[4]

Njerëzit maten me suksese dhe arritje e jo me vite. Allahu thotë: “Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.” (Jasin: 12)

Komentuesi i Kuranit Es-Sadij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “ ‘dhe shënojmë veprat që kanë bërë’; për qëllim është i shënojmë veprat që i kanë vepruar dhe punuar gjatë jetës së tyre, të mirat dhe të këqijat.

‘dhe gjurmët e (punëve të) tyre’; për qëllim janë gjurmët e punëve të mira dhe të këqija, që ata ishin sebepe për ekzistimin e tyre, gjatë jetës dhe pas vdekjes së tyre. Ato vepra janë që kanë buruar nga shprehjet, punët dhe gjendjet e tyre.”[5]

Vepra është origjina e birit të Ademit,

andaj shiko për veten në origjinë (veprat e tua).

Çfarë shtove për këtë dynja? Çfarë veprove? Çfarë kontribuove?

Çdo njeri patjetër duhet që të lërë pas vetes ndonjë gjurmë që ajo t’i mbetet pas vdekjes së tij. Jeta e njeriut nuk matet me vitet që i jeton, shumë njerëz kanë jetuar gjatë, por dolën nga kjo dynja pa asnjë gjurmë.

Disa të tjerë jetuan shkurt, por pas vete lanë shumë gjurmë dhe njerëzit vazhdojnë ende t’i përmendin, sebep i gjurmëve të tyre.

Sa vite jetoi imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë! Sa gjurmë la pas vetes?

Sa vite jetoi imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë! Sa gjurmë la pas vetes?

Sa gjatë jetoi Hafidh Ahmed Hakemij, Allahu e mëshiroftë! Sa gjurmë la pas vetes?

Ka edhe të tjerë shumë sikur ata!

Andaj, çdo i ri patjetër duhet të ketë në jetë qëllime që synon t’i realizojë ato dhe projekte që i projekton për të arritur deri te realizimi i qëllimeve të tij.

Kush nuk i vizaton vetes ndonjë qëllim, ai jeton jetë kuturu, ecën qorrazi në jug dhe veri, lindje dhe perëndim, në fund nuk gjen rrugëdalje dot. Ai që nuk e di se kah të drejtohet, nuk ka për të arritur askund.

Alij ibën Ebu Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Vlerën e çdo njeriut e përcakton mënyra se si ai i trajton gjërat[6].”[7]

Të urtët thonë: “Vlerën e njeriut e përcakton ambicia e tij dhe ajo që ai e kërkon.”[8]

Për këtë arsye emrat më të sinqertë janë: “Harith (ai që punon, bujk) dhe Hemam (energjik, i palodhur).”[9]

 

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Dr. Muhamed el Munexhidi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit