Të paktën 6 të burgosur e kanë humbur jetën gjatë protestave të cilat më pas u shndërruan në revolta kundër masave që u ndërmorën në burgjet e Italisë kundër koronavirusit të ri (Covid-19).
Disa kufizime që u vendosën me qëllim për të parandaluar përhapjen e Covid-19 i cili sa vjen e rrit ndikimin në vend, shkaktuan dje revolta në shumë burgje të Italisë ndërsa bëhet e ditur se këto revolta vazhdojnë edhe sot në qytete të ndryshme.
Shefi i administratës së burgjeve, Francesco Basentini në programin Agora në Radio Televizionin Italian Rai 3 tha se “Aktualisht ka 6 të vekur, ku 3 prej të cilëve kanë ndodhur para transferimit në burgun Modena”.
Ai tha se çdo gjë ka nisur nga burgu në qytetin Salerno. “Të burgosurit protestojnë kundër vendimit me të cilin ndalohen takimet e të burgosurve me familjarët. Të burgosurit kërkojnë që personeli shëndetësor të qëndrojë natën në burgje”, tha Basentini.
Ndërkohë në lajmin e Rainews 24 thuhet se Prokuroria e Modena-s ka hapur një hetim lidhur me ngjarjet e shënuara dje ku po hetohet vdekja e 3 të burgosurve. Sipas policisë, disa nga vdekjet mund të jenë si pasojë e mbidozës së drogës.
Italia po kalon një periudhë të rëndë për shkak të Covid-19 ku deri më tani kanë vdekur 366 persona ndërsa 7.375 të tjerë janë prekur nga virusi. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, të dielën njoftoi një dekret që vendos masa më strikte për rajonet veriore të vendit me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas kësaj, zbatimi i “zonës së kuqe” në të cilën ushtrohet kontrolli i rreptë për hyrjet dhe daljet në 11 rajone, u njoftua se kjo do të zgjerohet në 14 rajone, përfshirë Venecian dhe Lombardinë ku ndodhet edhe Milano.
Me dekretin në fjalë, në kuadër të masave parandaluese për përhapjen e virusit u ndaluan edhe takimet e hapura nëpër burgje.


