“Riedukim” për gazetarët/ PD përshëndet reagimin e OSBE-së: Rama po cënon fjalën e lirë!

Mos i humb

Partia Demokratike ka përshëndetur reagimin e OSBE-së për lirinë e medias, duke u rreshtuar në krah të gazetarëve pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për të përjashtuar për 3 muaj nga konferencat e qeverisë një reporter, duk i thënë se do të shkojë në “riedukim”.

Sipas deputetes demokrate Ina Zhupa, Rama po cënon fjalën e lirë.

DEKLARATË E DEPUTETES INA ZHUPA:

Partia Demokratike përshëndet reagimin e OSBE për Lirinë e Medias, të publikuar dje pak para protestës së 7 korrikut.

Theksi që OSBE vendos mbi të drejtën e gazetarëve “për të kërkuar, marrë dhe ndarë informacionin që kanë zyrtarët publikë”, është mesazh i hapur alarmi pas shkeljeve të fundit brutale të lirisë së gazetarëve nga kryeministri Rama.

Partia Demokratike ka denoncuar pa ndërprerje, dhe do ta vazhdojë te denoncojë kundërvajtjet seriale të këtij armiku të lirisë së shtypit dhe gazetarëve të pavarur në Shqipëri.

Ne vëmë theksin te rëndësia e reagimeve të tilla dhe u bëjmë thirrje të bëjnë të njëjtën gjë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Edi Rama luan në Shqipëri mikun e ndërkombëtarëve, por miqtë e vendit tonë nuk duhet të lejojnë që, në emrin e tyre të flasë dikush që ia nxin faqen si atyre, ashtu edhe Shqipërisë.

Pika e fundit e deklaratës së OSBE, është gjithashtu e rëndësishme: Nuk ka siguri pa liri të medias.

Ne theksojmë se pa liri të medias nuk ka siguri, transparencë dhe as votë të lirë.

Edi Rama i ka cënuar të gjithë këta përbërës të demokracisë dhe për këtë nuk duhet heshtur.

Partia Demokratike përshëndet edhe njëherë qëndrimin e OSBE, dhe u bën me dije gazetarëve se do të jetë në krah të tyre, dhe kundër të gjithë kërcënuesve të lirisë së medias.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit