​Rrëmbimi i policëve, Osmani kërkon reagim të ashpër nga ndërkombëtarët

Mos i humb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që ndërkombëtarët të reagojnë ashpër dhe të veprojnë të unifikuar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Ajo ka thënë se tre zyrtarët policor të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

Osmani ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se zyrtarët policor duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht. Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”

Abdixhiku përmes një reagimi në Facebook është shprehur se Kosova nuk e meriton një ditë të tillë.

Ai ka kërkuar përgjegjësi politike institucionale nga kryeministri Kurti dhe vartësi i tij, teksa ka shtuar se ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri.

“Të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri. Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti populist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar. Kosova nuk e meriton një ditë të tillë. Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga kryeministri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, ka shkruar Abdixhiku.

Duke e denoncuar rrëmbimin, PDK ka deklaruar se, kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë. Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka shkruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Në reagim gjithashtu është theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për riparimin e raporteve me partnerët strategjik ndërkombëtarë, sipas PDK-së, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit