Numri i palestinezëve të martirizuar në Gaza pas “Marshit të Kthimit të Madh” të organizuar të premten e kaluar është rritur në 22.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Eshref el-Kudra, në një deklaratë me shkrim tha se palestinezi Sair Muhammed Rabia i plagosur nga ushtarët izraelitë gjatë “Marshit të Kthimit të Madh” i është nënshtruar plagëve të marra.
Me këtë, numri i palestinezëve të martirizuar në Gaza nga ushtarët izraelitë është rritur në 22, ndërsa janë plagosur mbi 1.500 palestinezë.
Ndryshe, një numër i madh i palestinezëve që nga e premtja e javës së kaluar janë duke protestuar në kufirin mes Gazës së bllokuar dhe Izraelit në kuadër të përvjetorit të 42-të të Ditës së Tokës.
– Çfarë është Dita e Tokës?
Izraeli më 30 mars të vitit 1976 pushtoi mijëra hektarë tokë të palestinezëve shtetas të Izraelit të cilët jetonin në rajonin Celile, në veri të shtetit. Pas kësaj popullsia palestineze, hyri në grevë të përgjithshme për të protestuar kundër këtij uzurpimi.
Policia izraelite hapi zjarr ndaj personave që morën pjesë në protesta, ku gjashtë prej tyre ranë dëshmorë, ndërsa një numër i madh u plagosën.
Kjo ngjarje, e cila njihet si “Dita e Tokës”, vlerësohet si simbol i rezistencës së palestinezëve të treguar për çështjen e tokës, e cila është burim i përleshjeve mes Izraelit dhe Palestinës.


