Sipas raportit të forcës urgjente ruse, 10.699 raste të reja të koronavirusit u regjistruan në vend gjatë 24 orëve të kaluara.
Numri i përgjithshëm i rasteve në Rusi u rrit në 187.859. Numri i vdekjeve nga virusi u rrit në 1.723, pasi 98 persona të tjerë vdiqën në 24 orët e fundit.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve po ashtu është rritur në 26.608, përfshirë 2.805 pacientë të rinj të shëruar në 24 orët e fundit.
Aktualisht nën mbikëqyrje mjekësore të dyshuar me COVID-19 janë rreth 292 mijë persona.
Deri më tani, në Rusi janë kryer 4.9 milionë teste që synojnë të diagnostikojnë virusin në fazat e hershme.
Katër zyrtarë të lartë rusë brenda dy javësh, përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin, u shtruan në spital me koronavirus të konfirmuar.
Pavarësisht masave mjaft të vështira, që përfshijnë bllokimin e kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjes së të huajve dhe personave pa shtetësi si dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor, Rusia është vendi i pestë më i goditur nga koronavirusi për sa i përket numrit të rasteve.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, në mbarë botën janë konfirmuar mbi 3.9 milionë raste me COVID-19, prej të cilëve pothuajse 270 mijë kanë vdekur dhe rreth 1.3 milionë janë shëruar.


