“Rusia dhe regjimi i Asadit t’u japin fund sulmeve në Idlib”

Mos i humb

Ministrat e Jashtëm të 14 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), i kanë bërë thirrje regjimit të Sirisë dhe mbështetësve të tij që t’u japin fund sulmeve në Idlib dhe të zbatojnë armëpushimin e pranuar në vjeshtën e vitit 2018 (AA).

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, ministri i Punëve të Jashtme i Holandës, Stephanus Blok, ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya, ministri i Jashtëm portugez, Ernesto Santos Silva, ministri i jashtëm belg Philippe Goffin, ministri i Jashtëm estonez, Urmas Reinsalu, ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz, ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius, ministrja e Jashtme suedeze, Ann Lindei, ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto dhe ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney shkruan një artikull të përbashkët për portalin gjerman të lajmeve t-online.

Në artikull thuhet: “U bëjmë thirrje regjimit të Sirisë dhe mbështetësve të tij që t’u japin fund këtyre sulmeve dhe të zbatojnë armëpushimin e pranuar në vjeshtën e vitit 2018. I ftojmë ata që të ndalin menjëherë luftën dhe të përmbushin përgjegjësitë në kuadër të të drejtave njerëzore dhe ligjore ndërkombëtare”.

“I bëjmë thirrje Rusisë që të vazhdojë bisedimet me Turqinë për të lehtësuar situatën e tmerrshme në Idlib dhe të kontribuojë për zgjidhje politike”, thuhet më tej në artikullin ku Rusisë i kërkohet që të mos bllokojë kërkesën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për transferimin e ndihmës humanitare për të cilën ka nevojë emergjente.

Kriza në Siri mund të kapërcehet vetëm me një proces politik ndërsa regjimi është përqendruar vetëm në strategjinë ushtarake, thuhet ndër të tjera.

“Regjimi po përpiqet të minojë proceset gjithëpërfshirëse politike, duke penguar bisedimet kushtetuese të zhvilluara nga Përfaqësuesi Special i OKB-së, Geir O. Pedersen në Gjenevë”.

“Do të vazhdojmë përpjeket që të mos mbesin pa u ndëshkuar krimet e kryera në Siri”

Pasi theksohet se ka vendosmëri për të mos lënë pa ndëshkim krimet e kryera në Siri, në artikull tërhiqet vëmendja se ky është kusht i nevojshëm për paqen e përhershme në Sirinë e cila është ndarë thellë nga konfliktet që vazhdojnë pothuajse prej 10 vitesh.

Komisioni Hetimor për Republikën Arabe të Sirisë dhe Mekanizmi Ndërkombëtar i Pavarur dhe i Paanshëm që u formuan nga OKB-ja për luftën kundër pandëshkueshmërisë, kanë mbledhur prova të rëndësishme për të ngritur padi në të ardhmen ndaj atyre që gjenden fajtorë për krime të rënda, thuhet në artikull.

“Këto prova do të vazhdojmë t’i paraqesim në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Do të vazhdojmë përpjeket që të mos mbesin pa u ndëshkuar krimet e kryera në Siri. Këto krime që në themel janë shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar përfshijnë edhe përdorimin e armëve kimike. Duhet të përcaktojmë me emra përgjegjësit dhe duhet t’ia dorëzojmë drejtësisë. Jemi të detyruar të sqarojmë se ku ndodhen shumë të burgosur e të zhdukur dhe çfarë ka ndodhur me ata”, thuhet më tej.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit