Rusia ka raportuar një rekord të ri të rasteve të konfirmuara të koronavirusit të ri (COVID-19), si dhe vdekje të shkaktuara nga infeksioni me këtë virus.
Ekipi rus i urgjencës konfirmoi gjithsej 4.069 raste të reja të koronavirusit, me çka numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi në vend rritet në 32.007.
Ekipi i urgjencës po ashtu njoftoi se numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 273, pasi gjatë 24 orëve vdiqën 41 persona të tjerë.
Që nga e marta, numri i vdekjeve në Rusi ka treguar rritje të konsiderueshme.
Autoritetet shëndetësore të vendit njoftojnë se aktualisht 2.590 persona janë shëruar, përfshirë 286 që nga dita e djeshme.
Autoritetet vazhdojnë me testet për COVID-19, me mbi 1.7 milionë të kryera deri më tani.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallu pandemi globale.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, koronavirusi ka infektuar pothuajse 2.2 milionë njerëz, me rreth 146 mijë vdekje dhe rreth 550 mijë të shëruar.


