Ushtria ruse dërgoi bombardues me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë që mbanin raketa hipersonike në bazën e saj ajrore në Siri për stërvitje të mëdha në Mesdhe, në mesin e përshkallëzimit të tensioneve me Perëndimin mbi Ukrainën.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu mbërriti vete atje për të mbikëqyrur manovrat që shënojnë dislokimin më të madh të marinës ruse në Detin Mesdhe që nga Lufta e Ftohtë.
Shoigu u takua me Bashar Assad për ta informuar atë në lidhje me stërvitjet dhe për të diskutuar planet mbi thellimin e bashkëpunimit ushtarako-teknik.
Bombardues Tu-22M3 me aftësi bërthamore me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë MiG-31 që mbanin raketat e fundit hipersonike Kinzhal u ulën në bazën ajrore ruse të Hemeimeem në provincën bregdetare të Latakia-së.
Ushtria thotë se Kinzhal ka një rreze veprimi deri në 2,000 kilometra dhe fluturon me 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit, çka e bën të vështirë pikasjen e saj.
Vendosja e raketave Kinzhal në Siri është interpretuar si lëvizje që synon të tregojë aftësinë e ushtrisë ruse për të kërcënuar grupin e sulmit të aeroplanmbajtëseve amerikane në Mesdhe.








