Seanca e dosjes “Gërdeci”, Mediu: Asnjë e dhënë e re mbi hetimin

Mos i humb

Gjykimi për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun në lidhje me çështjen “Gërdeci” që ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme, është shtyrë.

I pranishëm në ambientet e GJKKO-së ka qenë edhe vetë Mediu, i cili pas shtyrjes së gjyqit ka thënë se prokuroria dhe dëshmitarët e thirrur për këtë çështje nuk po japin asnjë të dhëne të re.

Fatmir Mediu: Është gjëja më e drejtë që të pyeten dhe nëpërmjet pyetjeve të dalë e vërteta dhe të pyeten prapë. Letërporosia është një akt formal dhe mendoj se ky proces ka nevojë për t’i shkuar procesit nëpërmjet pyetjeve.

Besoj se kjo është rruga më e drejtë, e kërkuam edhe ne, edhe pala e viktimave dhe nuk e kuptoj pse nuk duhet bërë në këtë formë kur vetë drejtësia amerikane ka ofruar mundësinë për t’u pyetur nëpërmjet video-konferencës. Vazhdon një lloj gjyqi ku duket qartësisht se vetë prokuroria me gjithë dëshmitarët e vet nuk po i japin asnjëlloj të dhëne të re lidhur me procesin.

Dëshmitarët e prokurorisë vazhdojnë të mbajnë qëndrimet për të mos u pyetur.

Kjo nuk e ndihmon aspak procesin. Janë njerëz që kanë ekzekutuar, kanë qenë kontraktorë apo kanë bërë vendimet përsa i përket demontimit në Gërdec. Në gjithë këtë proces, mospërgjigjia e tyre tregon qartë se edhe prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formal pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka mësuar se në seancën e sotme në procesin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”, u paraqit si i thirrur nga SPAK Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”.

Ai refuzoi të dëshmojë në gjyq duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji. Më pas avokatët dhe prokuroria kërkuan që të administrohen në dosjen gjyqësore dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur.

Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdari dhe Luan Hoxha.

Për Denis Hajdarin prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur, ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi.

Fatmir Mediu i ka kërkuar gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikan me videokonferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi.

Seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” u caktua të mbahet më 9 Prill në orën 09:00.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit